Haradinaj: Do t’i respektojmë veteranët tanë të luftës, me traditën amerikane të respektit!

Aktuale May 29, 2017 - 18:32

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, një herësh edhe kandidat për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-NISMA, ka thënë se në qeverisjen e ardhshme veteranët e UÇK-së, do ti respektojnë me traditën amerikane të respektit, transmeton “Zeri.info”.

Haradinaj po ashtu ka thënë se gjatë takimit të sotëm me veteranët e UÇK-së, ku i pranishëm ishte edhe Kadri Veseli, janë zotuar si dikur, se kurdo që e është nevoja, gjithmonë do të jemi në shërbim të atdheut.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se për këtë kategori do të kujdesen ashtu siç kujdesen për veteranët e tyre shoqëritë më të qytetëruara të botës, përcjell “Zeri.info”.

“Veteranët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve, do t'i trajtojmë dhe do të kujdesemi për ta, ashtu siç kujdesen për veteranët e tyre shoqëritë më të qytetëruara të botës”, ka shkruar ndër të tjerash Haradinaj në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Do t’i respektojmë veteranët tanë të luftës sonë, me traditën amerikane të respektit!

Bashkë me kryetarin dhe bashkëluftëtarin Kadri Veseli, takuam sot, në Prishtinë, kolegët tanë më të çmuar, veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me këta njerëz kishim kaluar momentet tona më të rënda, por edhe më krenare në jetën tonë, kohën dhe vitet në shërbim të lirisë dhe vendit tonë.

U zotuam njëjtë, si dikur, se kurdo që e lypë nevoja, gjithmonë do të jemi në shërbim të atdheut.

Kjo kategori e shoqërisë sonë meriton respekt dhe tretman më fisnik nga shteti ynë. Këtë do ta bëjmë.

Veteranët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve, do t'i trajtojmë dhe do të kujdesemi për ta, ashtu siç kujdesen për veteranët e tyre shoqëritë më të qytetëruara të botës.

Do t'i respektojmë veteranët tanë të luftës sonë, me traditën amerikane të respektit.

Ata e kryen me nder shërbimin dhe obligimin ndaj vendit, lirisë dhe shtetit.

Shteti duhet dhe do t'i kryejë obligimet ndaj tyre.

Ishte nder të jesh pjesë e projektit më të madh të shqiptarëve në shekullin e kaluar – UÇK-së.

#KohapërFillimineRi

RH