Partitë nënshkruajnë deklaratën për transparencë financiare

Aktuale May 29, 2017 - 13:05

Partitë politike në vend kanë nënshkruar sot deklaratën për transparencë financiare gjatë fushatës zgjedhore. Kjo është organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar. Transparenca financiare e subjekteve politike ka qenë temë diskutimi një kohë të gjatë në Kosovë, duke ngritur dilema sa i përket mënyrës së raportimit të subjekteve politike.

Edhe pse deri në vitin 2012 ka pasur një auditim formal, kjo nuk ka ndodhë fare për zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe zgjedhjet parlamentare në 2014. Ky problem po ashtu është adresuar edhe nga Komisioni Evropian përmes Raportit të Progresit.

“Deklarata e nënshkruar sot, dëshmon vullnetin e partive politike që të marin hapa në rritjen e transparencës financiare. Është obligim i partive politike që të jenë model për shoqërinë duke ofruar hapjen e tyre karshi publikut edhe në aspektin financiar. Kjo hapje do të ndryshonte perceptimin e qytetarëve karshi subjekteve politike, duke i shfaqur para publikut më transparente dhe më llogaridhënëse”, thuhet nw komunikatën e lëshuar nga D4D, transmeton zeri.info.

Partitë politike nënshkruese të kësaj deklarate janë: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Aleanca Kosova e Re (AKR), Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP), Lëvizja për Bashkim (LB), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Nisma për Kosovën (NISMA), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Partia Liberale Egjiptiane (PLE).

“D4D do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha subjektet politike duke u siguruar për respektimin e zotimeve të kësaj deklarate. Duke qenë të vetëdijshëm për transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve, ne do të donim që zotimet e marra sot nga subjektet politike të respektohen dhe të vihen në praktikë në muajt në vijim” ”, thuhet më tutje në komunikatë.

Në këtë drejtim, Shpend Emini, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Demokraci për zhvillim theksoi që edhe pse Ligji për financimin e partive politike përcakton afatet ligjore të cilat partitë politike duhet të raportojnë, kjo ende nuk ka ndodhur. Prandaj synim i deklaratës është që partitë politike të përmbushin zotimet e tyre duke publikuar raportin e shpenzimeve gjatë fushatë zgjedhore dhe raportimin e saktë për shpenzimet vjetore financiare.

Ndërsa Valdete Daka, Kryetare e Komisionit Qendror Zgjedhor, mirëpriti nënshkrimin e kësaj deklarate dhe iniciativën e D4D-së për të kërkuar nga partitë politike më shumë transparencë në shpenzimet e fushatës zgjedhore. Daka po ashtu tha se kjo deklaratë i kontribon zhvillimit demokratik të këtyre zgjedhjeve.

Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, tha se deklarata e nënshkruan në frymën e  Ligjit mbi financimin e partive politike, është parakusht për demokratizim dhe funksionalizim me standarte ndërkombëtare të subjekteve politike. Po ashtu, kjo transparencë dhe llogaridhënie financiare të subjekte politike do të afërsonte të zgjedhurit me votuesit e tyre./Zeri./