Topalli: Kjo nuk është më Partia Demokratike

Aktuale May 29, 2017 - 12:02

Jozefina Topalli, ish-nënkryetarja demokrate, me anë të një postimi të gjatë në Facebook, theksoi se “prej 26 Majit, edhe zyrtarisht, kjo nuk është më Partia Demokratike e Dhjetorit 1990”.

“Jo pse mungoj unë në listën e deputetëve, por sepse shpirti i Partisë Demokratike është zëvendësuar me llogarinë e ftohtë të Republikës së Re. E di se ata pak demokratë që kanë mbetur dhe që numërohen me gishtat e njërës dorë janë edhe më zemërthyer se unë, sepse do të bëjnë fushatë për diçka që nuk e besojnë, që nuk është e tyrja, për Republikën e Re të Lulzim Bashës. Nuk e dija sesi do ta pagëzonte krijesën e tij Lulzim Basha, por e kam ditur që në fillim, disa herë edhe e kam shprehur me rezerva, se Lulzim Basha po zhbënte Partinë Demokratike, se ai kurrë nuk ka luftuar për asnjë fitore të Partisë Demokratike dhe se e vetmja axhendë e tij ka qenë ajo personale”, shkruan Topalli.