Thaçi: S’po bëj fushatë – kontaktet me qytetarë janë stili im i punës

Aktuale May 27, 2017 - 23:18

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dikur lider i Partisë Demokratike të Kosovës, është akuzuar ditëve të fundit, pas vizitës së tij në një shkollë në vendlindjen e tij, se ai po bën fushatë për një parti të caktuar, por Thaçi, në një intervistë ekskluzive në Analiza Zgjedhore në Klan Kosova e ka mohuar kategorikisht këtë.

“Në momentin që jam zgjedhur president për mua ka përfunduar çdo autoritet sa u përket partive politike në Kosovë. Kontaktet e mia nuk janë fushatë aspak. Por, tani unë kam përgjegjësitë e mia, stilin tim të punës në kuadër të kornizave kushtetuese”, ka thënë Thaçi, njofton Klan Kosova.

“Nuk dëshiroj të komentoj opinionet e partive politike, por mendoj se ata duhet të jenë mirënjohës pasi i kontaktoj të gjithë, të gjitha kategoritë, të cilat s’i takojnë asnjë partie, por si president e kam për obligim t’i thërras njerëzit të dalin të votojnë”.

Thaçi tha se në këtë situatë politike ai ka dy objektiva kryesore për të cilat po punon.

“E para është që si president kam marrë vendim, pas rrëzimit të qeverisë, ta shpërbëj Kuvendin dhe tani vendi po shkon në zgjedhje, ndërsa në të njëjtë kohë do të angazhohem që të kemi zgjedhje fer dhe demokratike, ballafaqim të argumenteve dhe vizion për të ardhmen.

Duhet ta dërgojmë një mesazh të mirë para botës”.

“Dhe e dyta; ftoj njerëzit që të dalin dhe të votojnë dhe ata që e marrin përgjegjësinë të kenë legjitimitet të madh për vendime të mëdha”.