Kurti: Gratë e burrat, të barabartë në qeverisjen e Vetëvendosjes

Aktuale May 27, 2017 - 15:12

Kandidati për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, mbajti një tubim me gra në Prishtinë, ku u premtoi grave të Kosovës që do të sjellë barazi gjinore.

“Gratë e burrat janë të ndryshëm por mund të jenë të barabartë, duhet të jenë të barabartë, e do të jenë të barabartë me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kurti.

“Ne jemi ata që sigurojmë barazi gjinore sepse në programin tonë kemi barazi shoqërore”.

Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje do të sjellë edhe barazi shoqërore por edhe barazi gjinore.

“Pa barazi midis neve nuk do të mund të kemi progres”.

Ndër të tjera, ai tha se Republika e Kosovës ngec në rajon pasi që e ka patriarkalizmin më të madh se vendet tjera, porse barazia gjinore nuk është premim i lehtë dhe as elektoral, sepse nuk është çështje llafesh apo kuvendime burrash.

“Dobësimi i shtetit e dobëson më së shumti gruan, e forcon patriarkalizmin dhe e rritë varësinë e gruas ndaj burrit”.

Ndër hapat konkretë që Vetëvendosja ka, Kurti thotë se është edhe pesëfishimi i çerdheve në Kosovë që do t’iu ndihmonte nënave me fëmijë të vegjël.

Paga gjatë lejes së lindjes, që do të mbulohet 50% nga shteti dhe 50% nga punëdhënësi privat, dhe rritja e prezencës së grave në qeverisje ishin disa nga premtimet e tjera të Kurtit.

Në fund, ai i inkurajoi gratë që të anëtarësohen në organizatat që kanë për synim barazinë gjinore, si dhe bëri të ditur se bashkë do ta luftojnë barazinë.