Thaçi: Besoj në zgjedhje demokratike, moderne dhe evropiane

Aktuale May 26, 2017 - 21:06

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur shpresën se zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit do të jenë fer, demokratike, gjithëpërfshirëse, me standarde të larta dhe që rezultati i tyre do të pranohet nga të gjithë.

Presidenti Thaçi, i cili pë herë të parë nuk do të jetë pjesë e kësaj gare elektorale ka thënë se nuk i mungon gara elektorale dhe se do të jetë i përkushtuar në obligimet e tij që ia jep Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

“Fillimisht dëshiroj t’i uroj të gjithë qytetarët për këtë mundësi të re elektorale dhe dëshiroj t’i uroj të gjitha partitë politike për këtë garë të re demokratike. Pavarësisht nga përgjegjësia institucionale që e kemi sot si president i vendit, pas mocionit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, unë si president i vendit duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Kosovës e kam shpërndarë Kuvendin dhe tash vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Nuk është diçka e jashtëzakonshme, është diçka e zakonshme në sistemet parlamentare. Edhe si president i vendit edhe pse nuk  jam pjesë e garës elektorale jam i përqendruar me tërë qenien time në dy segmente që më jep lejon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës dhe që e kam obligim dhe përgjegjësi të punoj".

"E para është krijimi i mundësisë për organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike dhe e dyta që njerëzit sa më masovikisht të dalin dhe të marrin pjesë në procesin elektoral. Pse në këto dy procese? Për arsye si përfaqësues i unitetit politik dhe qytetarë në Kosovë, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me partitë politike, të cilat i falënderoj të gjitha që iu kanë përgjigjur ftesës time për caktimin e datës së zgjedhjeve, gjithashtu me mediat por edhe me qytetarët është duke u ndërtuar një frymë për zgjedhje të mirëfillta të standardit të lartë, zgjedhje moderne evropiane, por në të njëjtën kohë edhe me një përfshirje të gjerë. Kështu që mund të them lirisht se ndihem me përgjegjësin më të lartë shtetërore, si një mundësi e re për organizimin e zgjedhjeve të cilat janë jetike për katër vitet e ardhshme. Nëse më pyesni se a më mungon kjo garë elektorale apo jo mund të them se nuk më mungon, por mund të them se qind përqind do të jem në krye të obligimeve të mia kushtetuese dhe ligjore”, ka theksuar presidenti Hashim Thaçi në emisionin “Monitor” në RTK.