Mustafa: PDK gaboi rëndë

Aktuale May 25, 2017 - 21:12

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, e ka quajtur të gabuar vendimin e PDK-së për t’u tërhequr nga koalicioni me LDK-në dhe e ka quajtur amatoresk dhe të papjekur vendimin për dhënien e përkrahjes së mocionit për rrëzimin e qeverisë. Këto komente Isa Mustafa i ka bërë në intervistë për RTK-në.

“Ne kemi pasur zotime të dyanshme edhe të shkruara por edhe të demonstruara se koalicioni do të vazhdojë dhe do të përfundojë në kohën e mandatit. Skam pasur arsye të dyshoj për prishje të koalicionit, sepse koalicionin nuk e kemi lidhur për shkak të themi simpative ndërmjet këtyre dy subjekteve tona politike, për faktin se ne jemi rivalët kryesor politikë në këtë vend.  Por kemi vlerësuar se në një moment të tillë vendit i nevojitet një koalicion i tillë që do të zgjidhte disa prej sfidave me të cilat jemi ballafaquar dhe ballafaqohemi”, ka theksuar Mustafa.

“Tërheqja e PDK-së përkatësisht organizimi i mocionit përmes opozitës dhe shfrytëzimi  i opozitës për të bërë mocionin është çështje e tyre. Por, unë konsideroj se është një veprim i gabuar, një veprim i pamenduar mirë që nuk i kontribuon forcimit të shtetësisë së Kosovës sepse nuk është përfituar asgjë nga ky mocion, në një situatë kur ne kemi pasur rritjen më të madhe ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, kur kemi pasur një trend të uljes së papunësisë, kur kemi fuqizuar marrëdhëniet me Bankën Botërore dhe kemi forcuar këto relacione me misionet financiare ndërkombëtare. Kemi qenë afër fillimit të ndërtimit të termocentralit të Kosovës së Re, të implementimit të ligjit për investime strategjike, të pakos së dytë fiskale të ndodhë ajo ndodh vetëm nga dikush që nuk ia don të mirën vendit dhe i cili e qet interesin personal para atij shtetëror, por jemi futur këtu dhe ne do ta realizojmë edhe këtë proces sepse është një sfidë demokratike, por mendoj se veprimet e tilla të ngutshme, të pamenduara, të gabuara dhe amatoreske nuk i kontribuojnë stabilitetit as politikë as ekonomik të Kosovës dhe nuk i kontribuojnë forcimit të marrëdhënieve me vendet fqinje dhe ardhjes së investimeve të huaja. Çfarë të mendojnë investitorët për vendin tonë kur për një ditë bëhet pozita dhe opozita bashkë dhe i bashkëngjiten dy-tre vetëve që organizojnë nënshkrimin e mocionit dhe e rrëzojnë qeverinë e pa korruptuar njerëzit e korruptuar”, ka shtuar Mustafa.

Në qeverisjen time kemi pasur rritjen më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor

Mustafa mendon se qeverisja e mirë dhe e suksesshme dhe rritja ekonomike kanë qenë arsyet e vërteta që partneri i tyre në koalicion, PDK, vendosi të prishë ngecjen e koalicionit.

“Faktet e flasin të kundërtën me ato që ka thënë PDK. Ne e kemi pas në dy vitet e fundit rritje ekonomike prej 4 përqind, që ishte rritja më e madhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që është vërtetuar nga Fondi Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Kemi pasur pritje që këtë vit të jetë rritja edhe më e madhe se sa 4 përqind. Kemi pasur ulje të papunësisë, sepse kemi ulur papunësinë nga 35 në 26 përqind, ndonëse vlerësohet papunësia është edhe më ulët sepse kemi punësim informal dhe si i tillë ai punësim më vonë duhet të shprehet në efekte ekonomike. Përmes reformave fiskale ne kemi arritur që edhe këtë punësim informal ta formalizojmë, në mënyrë që t’i ndihmojmë edhe individëve që janë të punësuar, por edhe firmave që të legalizojnë punonjësit e tyre. Pra, deklaratat e drejtuesve të PDK-së kanë qenë të pabazuara dhe që kanë pasur për qëllim të shfrytëzohen për efekte të gjetjes së shkaqeve për të sulmuar qeverinë, por unë mendoj se deklarimet e tilla janë të gabuara dhe si të tilla na kanë sjellë në këtë situatë ku jemi sot”, është shprehur tutje Mustafa.