Fondi i partive, shumëfish më i madh sesa shuma që marrin nga buxheti

Aktuale May 23, 2017 - 13:50

Partitë e mëdha politike kanë nisur t’ia hapin “grykën thesit me para” për fushatën parazgjedhore. Përpos fondeve që i marrin nga buxheti i shtetit, shuma të mëdha marrin edhe nga bizneset, të cilët më pas i favorizojnë në tenderët institucionalë.

Përderisa KQZ-ja ka rrumbullakuar shpenzimet në shifrën prej rreth 900 mijë eurove, subjektet politike vazhdojnë të mos jenë transparente sa i përket mënyrës së financimit.

Analisti politik, Arben Rugova, ka vlerësuar se partitë politike shpenzojnë shumë më shumë për fushata sesa që marrin nga buxheti i shtetit.

“Fondi i partive politike është shumëfish më i madh sesa shuma që marrin nga buxheti i Kosovës. Ato deklarojnë se financimin e tyre e kanë kryesisht nga ky fond dhe nga anëtarësia e partisë, mirëpo e vërteta duhet të jetë ndryshe. Këtë më së miri e dëshmon fushata elektorale, ku disa prej partive politike e shpenzojnë fondin që marrin si parti parlamentare vetëm në reklama pa llogaritur mijëra eurot për billborde (pankarta). Janë dyshimet e bazuara se partitë politike, sidomos ato që vijnë e shkojnë në pushtet, financohen nga bizneset e mëdha dhe si kundërshpërblim marrin ndonjë tender apo edhe ikje ndaj tatimeve”, ka deklaruar ai, transmeton zeri.info. 

Sipas tij, pikërisht shpenzimet e mëdha bëjnë që partitë të mos tregojnë fare për të ardhurat e tyre.

“Në Kosovë nuk janë transparente institucionet e lëre më partitë politike, të cilat përherë kanë qenë të mbyllura, pa pasqyra financiare dhe të anashkaluara nga auditimi i mirëfilltë prej organeve kompetente. Partitë nuk i tregojnë të ardhurat e tyre, ngase shpenzojnë shumë gjatë fushatës dhe deklarojnë tjetër gjë, shuma më të vogla. Kjo bëhet për t’i mbajtur sekret financuesit, për t’u ikur tatimeve, por edhe është mundësi dhe dyshohet se pikërisht gjatë fushatave partitë bëjnë edhe shpëlarje të parave”.

Nga ana tjetër politologu, Donik Sallova, ka vlerësuar se partitë politikë në Kosovë financohen nga grupe të ndryshme të biznesit.

“Partitë nuk janë transparente dhe dihet mirëfilli se ato financohen nga grupe biznesi, të cilat më pastaj përfitojnë nga shteti projekte dhe tenderë në mënyre jomeritore. Për të mos thënë që në Kosovë tashmë ka grupe të fuqishme ekonomike, të cilat kanë ndikim direkt në politikë. Kjo bie ndesh me demokracinë dhe me interesin publik. Politika gjithnjë e më shumë po bëhet biznes dhe oligarki”, është shprehur Sallova, transmeton zeri.info.

Ndërkohë njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka vlerësuar se financimi dhe transparenca janë dy gjëra që përbëjnë ndeshjen më të madhe në vendet demokratike.

“Financimi dhe transparenca janë dy gjëra që përbëjnë përplasjen më të madhe në demokraci. Kjo gjë është një ndër debatet më të nxehta gjithandej. Problemin më të madh që e shoh është përdorimi i aseteve të shtetit dhe kontraktimi paraelektoral, favoret që u bëhen banorëve dhe lokaliteteve të ndryshme për ta ndryshuar përqindjen e votimeve”, ka deklaruar ai per zeri.info. 

Sipas Abazit, partitë politike përdorin edhe varfërinë për të siguruar vota.

“Përdorimi i fukarallëkut dhe mosdijes për të siguruar votat, p.sh., loja me minoritetet joserbe për fushatë është e tmerrshme sepse me shumë pak investime dhe me premtime për rrugë me zhavorr, kulme për shtëpi, shlyerje të borxheve nëpër dyqane dhe blerjen e përfaqësuesve të tyre sigurohen vota. Njerëzve ose u premtohet pozita apo kërcënohen për pozitën që kanë nëse nuk i sigurojnë votat e familjeve dhe të farefisit”, është shprehur Abazi./Zeri/