Rrustemi: KQZ ua mohojë mijëra bashkatdhetarëve të drejtën kushtetuese të votës

Aktuale May 23, 2017 - 11:29

Pas përfundimit të regjistrimit të votuesve jashtë vendi, anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së Adnan Rrustemi ka akuzuar KQZ-në se në vend se t’ju shërbente votuesve, ua mohojë mijëra bashkatdhetarëve të drejtën kushtetuese të votës.

Rrustemi ka thënë se pengimi për të votuar është krim zgjedhor, ndërsa mohimi më brutal i të drejtës së votës është pamundësimi për t'u regjistruar përmes pengesave teknike.

“Gjatë këtyre tetë ditëve kam pranuar e këmbyer qindra mesazhe, emaila e telefonata nga mbarë bota, përmes të cilave, votuesit nga mërgata më drejtonin pyetje për sqarime që nuk i merrnin askund në KQZ, vërejtje e denoncime për rënien e serverit e dështimin për të dërguar aplikacionet përmes emailit, mungesën e informacioneve e afatet e shkurtra”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.

Rrustemi ka thënë se përtej përgjegjësisë institucionale e politike, ishte përgjegjësia qytetare për të dhënë informacione, sqarime e për t’ia lehtësuar mërgatës pjesëmarrjen në zgjedhje.

“Entuziazmi i tyre për ta parë Kosovën ndryshe dhe ashtu siç e meriton të skuqte pashmangshëm nga papërgjegjësia totale e KQZ-së. Kështu, në vend se t’ju shërbente votuesve, KQZ-ja ua mohojë mijëra bashkatdhetarëve të drejtën kushtetuese të votës, duke u bërë çerdhe e krimit zgjedhor”, ka thënë në fund të reagimit të tij Rrustemi. /Zeri.info/