Lansohet programi i kompensimit të viktimave të krimit

Aktuale May 23, 2017 - 08:48

Ministria e Drejtësisë, e mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka bërë lansimin e “Programit për kompensimin e viktimave  të krimit”, i cili ua mundëson kompensimin financiar viktimave të krimeve të dhunshme. Ky program u vlerësua i rëndësishëm për zhvillimin e drejtësisë sepse viktimat me këtë mund të kërkojnë të drejtat e tyre, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Dhurata Hoxha, ka thënë se programin që po e lansojnë u garanton kompensim viktimave. “Kjo ditë mund të shënohet si ditë e shënuar për drejtësinë kosovare. Përmes këtij programi viktimave u mundësohet realizimi i së drejtës së tyre”, ka thënë ajo.

Sipas Hoxhës, të flasësh për viktimat e krimit nuk është çështje e lehtë dhe vuajtja e tyre na prek të gjithëve. “Na takon të solidarizohemi me këto viktima dhe duke u kujdesur që këto të mos mbesin vetëm. Si përgjegjës të institucioneve duhet të marrim të gjitha masat që t’i mbrojmë viktimat e krimit. Çdo viktimë e krimit do ta ketë përkrahjen tonë institucionale dhe njerëzore. Ndëshkimi dhe zëri kundër së keqes mund t’ju ndihmojë atyre”, ka thënë ministrja Hoxha.

Ky program, sipas Hoxhës, garanton mundësi për kompensim ndaj viktimave të krimit. “Programi të cilin po e lansojmë sot ju garanton mundësi për kompensim viktimave të krimit, përkatësisht viktimave të veprave penale si: ‘Vrasja’; ‘Trafikimi me njerëz’;  ‘Dhunimi’; ‘Keqpërdorimi seksual i fëmijëve’, si dhe veprat penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje”, tha ministrja Hoxha.

Ajo ka porositur të gjitha viktimat që t’i drejtohen Komisionit, i cili do t’u ndihmojë viktimave.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se përmirësimi i sundimit të ligjit është një gjë me rëndësi. “Ky program është hap i rëndësishëm për zhvillimin e drejtësisë sepse viktimat me këtë mund të kërkojnë të drejtat e tyre. Është e domosdoshme që programi të përfshihet në buxhet për t’u siguruar që ky program të jetë funksional edhe në të ardhmen”, ka thënë ai. Sipas tij, kompensimi dhe siguria e tyre janë të domosdoshme.

 Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se kjo çështje preokupon vëmendjen e publikut në përgjithësi. “Lansimi i kësaj përbën përpjekjen e parë institucionale dhe përbën një lajm të mirëpritur për të gjithë. Të qenit viktimë e krimit dëmton shëndetin shpirtëror dhe emocional. Përtej rolit tradicional të familjes është përgjegjësi jona që kësaj kategorie t’i japim trajtim adekuat. Në këtë drejtim duhet të krijohet një mekanizëm i besueshëm sipas vlerës dhe dëmit të shkaktuar”, ka thënë Idrizi.  Ai ka theksuar se të gjithë një ditë mund të jemi viktimë e krimit dhe është momenti i fundit t’i kushtojmë trajtimin e dinjitetshëm të kësaj pjese të shoqërisë.

Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Shtetit, tha se të drejtat e viktimave të krimit janë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe si të tilla duhet të mbrohen nga shteti. “Legjislacioni parasheh një skemë të kompensimit që janë të rregulluara me Kodin e Procedurës Penale. Gjithashtu për kompensimin e tyre janë nxjerrë akte nënligjore, por duhet ende të punohet”, ka thënë Lumezi.  

Ndërsa Nesrin Lushta, kryetare e Komisionit për Kompensimin e Viktimave, tha se si Komision kemi bërë një punë me përkushtim të madh. “Viktima është subjekt mjaft i ndjeshëm në procedurën penale, së cilës pa fajin e saj i është dëmtuar ndonjëherë jeta, shëndeti e pasuria. I dëmtuari është person, i cili si interes primar e ka kompensimin e asaj që i është marrë”, ka thënë ajo./Zeri/.