Harrojnë vendet e punës, premtojnë vizat

Aktuale May 23, 2017 - 08:12

Pas dështimit të paraardhësve të tyre kandidatët e rinj për kryeministër të vendit kanë lënë anash premtimet e ekzagjeruara për qindra e mijëra vende pune. Në këto zgjedhje të reja ata kanë ndryshuar edhe strategji. Tani është integrimi dhe liberalizimi i vizave premtimi përmes të cilave ata po kërkojnë t’i fitojnë votat e qytetarëve, shkruan sot, gazeta Zeri

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë dy partitë më të mëdha, PDK-ja dhe LDK-ja, kishin premtuar qindra e mijëra vende pune. Për ironi të dyja këto parti pas zgjedhjeve kishin krijuar koalicionin e madh, i cili pritej që të bënte ndryshime të mëdha në vend.

Por, edhe pas tre vjetëve qeverisjeje vendet e punës të cilat ata i premtuan nuk u panë askund. Madje nuk u dhanë përgjigje as temave të mëdha siç ishin Demarkacioni, Asociacioni e ushtria.

Duke parë këtë dështim në mbajtjen e premtimeve në këto palë zgjedhje duket se liderët partiakë janë më të matur. Megjithatë, edhe kësaj radhe po luajnë me “kartën e madhe” të liberalizimit të vizave.

Ato kësaj radhe po premtohen që do të hiqen për tre muaj pikërisht nga ata të cilët nuk votuan Demarkacionin, i cili nga Bashkimi Evropian ishte kërkuar si kushti i vetëm.

Ndërkohë, pjesë e rëndësishme e premtimeve parazgjedhore, ndonëse fushata ende nuk ka filluar zyrtarisht, është bërë edhe formimi i ushtrisë së Kosovës. “Unë nuk shoh periudhë më të gjatë se tre muaj nga momenti i nisjes së punës për liberalizim”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa Avdullah Hoti, kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR-Alternativa, gjatë ditës së djeshme ka vazhduar aty ku e kishte lënë paraardhësi i tij, Isa Mustafa.

Ai premtoi punë vetëm se ndjeshëm një shifër më të vogël se shefi i tij.

“Plani i ri qeverisës parasheh që në dy vjetët e para të mandatit të krijojmë 40 mijë vende të reja të punës në sektorin formal”, ka thënë Hoti. 

Ndërsa gjatë prezantimit të kandidaturës për deputet dhe kandidatit për kryeministër të lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti tha se tri pikat kyç të LVV-së pasi ta marrin mandatin do të jenë rreth zhvillimit ekonomik.

Njohësit e çështjeve politike thonë se premtimet e parealizuara për punësim dhe mospasja e një programi të mirëfilltë për këtë çështje ka bërë që partitë politike të orientohen në çështje të tjera. 

Analistët: Dështimi me punësim i ka vetëdijesuar politikanët

Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, ka thënë për gazetën “Zëri” se dështimet e qeverive të kaluara i kanë vetëdijesuar partitë politike sa i përket premtimeve për punësim.

Por ai ka shtuar se akoma çështjet me problematike mbesin zhvillimi ekonomik dhe papunësia.

“Dështimi i koalicionit të kaluar në çështjen e punësimit i ka vetëdijesuar partitë politike që të jenë më të kujdesshme në premtimet që bëjnë. Por në anën tjetër, ata po fokusohen edhe në premtime folklorike që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave e në krijimin e ushtrisë. Problemet kryesore të vendit janë zhvillimi ekonomik e papunësia. Andaj qytetarët do të duhej që votën e tyre t’ua japin atyre që kanë zgjidhje më të kapshme për këto dy çështje”, ka thënë Mushkolaj.

E Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, ka thënë se asnjë premtim që kanë dhënë partitë politike deri më tani nuk është përmbushur si duhet.

Ai u bëri thirrje që të japin premtime të realizueshme në mënyrë që të mos e zhgënjejnë votuesin siç kanë bërë deri më tani.

“Të gjitha subjektet politike kanë dështuar në të gjitha premtimet që i kanë dhënë deri më tani, po flas për subjektet kryesore të mëdha. Qytetari më nuk mund të mashtrohet me premtimin për liberalizimin e vizave ose me premtime të ngjashme sepse ato janë detyra dhe vendime që duhet t’i marrin këta njerëz. Sa i përket numrave për punësim ndoshta është hap i mirë që të mos japin premtime të parealizuara, t’i japin ato premtime që mund t’i realizojnë që të mos e zhgënjejnë edhe më tepër votuesin, i cili edhe ashtu është i zhgënjyer”, ka thënë Baraliu për “Zërin”.

Kurse Haki Abazi, drejtori i “Rokfeller Brothers Found”, ka thënë se Kosova në të gjitha fushat ka probleme, por koalicioni i ish-luftëtarëve ka në cak premtimin për formimin e ushtrisë që të mobilizojë një grup të caktuar njerëzish.

“Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik ka qenë dhe vazhdon të jetë çështja ku të gjitha qeveritë kanë dështuar. Sistemi politik i ndërtuar me burokraci të skajshme dhe për interesa të një grupi të caktuar njerëzish nuk mund të jetë zgjidhja sidomos jo kur funksionimi i gjyqësorit nuk është jashtë ndikimit politik. Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm ekonomik kur çdo gjë që bëhet është e dizajnuar të dështojë për të përfituar nga Arbitrazhi dhe për të mirëmbajtur sistemin e patronzhës politike. Tani si duket mesazhi shënjestron votues specifikë dhe koalicioni i ish-luftëtarëve po e ka në cak grupin e votuesve që mund të mobilizohen nga premtimet ‘maqo’- ‘Do ta bëjmë ushtrinë’”, tha ai.  

Ndërkohë analisti Agon Maliqi i ka thënë “Zërit” se premtimi për punësim është bërë imun, prandaj edhe partitë politike po kanë më shumë kujdes në këtë çështje.

Por ai tha se është akoma herët pasi ende nuk kanë shpalosur programin të gjitha partitë.

“Nuk jam i sigurt nëse po hiqet dorë sepse akoma jemi në fillim të fushatës dhe programet po shpalosen. Por, edhe mund të jetë e vërtetë se ndaj këtij premtimi elektorati është bërë pak imun dhe partitë po tregojnë (së paku deri më tash) kujdes. Sidoqoftë, pre që partitë të dalin me shifra premtimesh, të cilat shpresojmë që do të jenë realiste dhe të bazuara në propozime konkrete”, ka thënë ai.

Kunushevci: Kemi vetëm shifra dhe jo programe për punësim

Duke qenë se punësimi mbetet një nga problemet më të mëdha në vendin tonë sociologu,

Labinot Kunushevci, ka thënë se premtimet për punësim deri më tani  janë dhënë vetëm si deklarata dhe pa ndonjë program të mirëfilltë.

Prandaj, siç tha ai, nuk kanë më besim dhe nuk pret përmirësim për këtë gjendje.

“Premtimi për punësim si temë e njëjtë po konsumohet dhe sidomos kur po paraqitet në shifra dhe jo në programe, platforma e strategji konkrete besimi (mashtrimi) po bie. Premtimet e tyre për formimin e ushtrisë dhe për kryerjen e çështjes së Demarkacionit tregon se politikanët mendojnë për pushtetin dhe jo për shtetin. Qytetari duhet ta analizojë rezultatin e treguar e jo premtimin e fushatës sepse fushatat bëhen për të mashtruar. Tregu i punës vazhdon të jetë i ngushtë! Pse nuk dominon tema e punësimit dhe zhvillimit ekonomik, ose e funksionalizimit sa më të madh të ligjit, ose e luftimit të korrupsionit është tregues se politikanët kanë ambicie për pushtetin dhe jo për shtetin. Duhet një reformë e thellë sistemore dhe strategjike, një strukturë e re vizionare me projekte afatgjata sepse kjo mund ta diktojë rrjedhën e temave dhe agjendave”, ka thënë ai.