Ligji për veteranët e UÇK-së, pret funksionalizimin e Qeverisë së re

Aktuale May 22, 2017 - 21:52

Për ta gëzuar pensionin në bazë të ligjit të ri veteranët e UÇK-së, duhet të presin që të funksionalizohet Qeveria e re Kosovës e cila pritet të dal pas rezultateve zgjedhore të 11 qershorit.

Hysni Gucati Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ligji për veteranët e UÇK-së i cili është nënshkruar nga Presidenti Hashim Thaçi, tani ka ngecur tek formimi i komisionit i cili duhet të formohet nga Qeveria e Kosovës për kategorizimin e veteranëve të UÇK-së, i cili për shkak të shpërndarjes së Parlamentit, ky ligj pret që të funksionalizimin e Qeverisë së  ardhshme për tu kryer.

“Emrat që i kanë kërkuar ne i kemi dërguar prej organizatës por tani ma mbetur që Ministria e Mirëqenies Sociale ta dërgoj në komision një zyrtar gjithashtu edhe Qeveria duhet ta dërgoj një zyrtar nga sekretaria e saj”, ka thënë ai.

Gucati ka shpjeguar se kategorizimi përfshin kategorinë e parë, dytë dhe të tretë, ku është paraparë që pensionet të jenë 250, 170 dhe 120 euro.

Ky ligj sipas Gucatit do të zbatohet në mënyrë të njejtë edhe për veteranët që jetojnë jashtë Kosovës.

“Ne kemi kërkuar që veteranët e luftës të jenë të barabartë si ata në perëndim ashtu edhe në Kosovë. Nëse veterani i UÇK-së punon në Kosovë ai nuk ka të drejtë ta gëzoi pensionin, kjo do të vlejë edhe për veteranët që janë në perëndim, nëse ata në perëndim punojnë ata nuk kanë të drejtë ta gëzojnë pensionin e veteranit të luftës, por kanë të drejtë të kenë qasje në benificionet që i përcakton ligji”, ka thënë Gucati.