Kadaj-Bujupi: Haradinaj iu bashkua konceptit të klanit pronto

Aktuale May 22, 2017 - 20:02

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj–Bujupi, ka thënë se ish-shefi i saj, Ramush Haradinaj i është bashkuar konceptit të klanit Pronto, prej se ka lidhur koalicion me PDK’në.

Në një intervistë me RTV Dukagjinin, Kadaj-Bujupi ka thënë se “është problem koncepti politik në të cilin ai është duke garuar”.

“Mendoj se është tepër problem koncepti politik në të cilin ai garon. Në një qeverisje eventuale me PDK’në, flasim për një koncept të klanit Pronto, një koncept që ka bërë shumë dëme. Ky nuk ka qenë një bashkim për koncept politik”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

“Së pari dua të them se dy subjektet e mëdha nuk kanë nominuar kandidatë për kryeministra. Kisha me thanë që këto janë dy figura anësore, sepse ky mos nominimi i kryetarëve të dy partive të mëdha. Për shembull, Hoti asnjëherë nuk ka marrë përkrahje nga strukturat, dhe nuk do të merret seriozisht as nga vet LDK’ja. Edhe LDK dhe PDK janë dorëzuar, ky është dorëzim, sepse nuk janë të nominuar dy kryetarët e partive të mëdha”, ka thënë ajo.

LEXO EDHE: Kadaj-Bujupi: Në marrëveshjen në mes PDK-së dhe AAK-së, nuk përmendet zhvleftësimi i demarkacionit

Ish – deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj Bujupi, ka theksuar se marrëveshja e koalicionit në mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk e parasheh  zhvleftësimin e versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi.

Ajo ka theksuar se PDK’ja më herët në kongresin e saj të punës e ka votuar këtë version të demarkacionit, dhe pas arritjes së marrëveshjes me partinë e Haradinajt, subjekti i madh, siç e ka cilësuar Kadaj Bujupi, nuk ka thënë se do të heqin dorë prej saj.

Ajo ka thënë se ata si parti do të angazhohen dhe po punojnë fuqishëm së bashku me shtabin zgjedhor, që komisionerët dhe vëzhguesit të jenë në krye të detyrës përgjatë këtyre viteve.

“Nuk do të lejojmë që të vidhet vota, sikurse ne vitin 2010 ose në vitin 2013. Nuk do të pajtohem që rezultatet të manipulohen”, ka shtuar ajo.

Kadaj-Bujupi është përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të Vetëvendosjes.