Nesër seanca e jashtëzakonshme

Aktuale May 21, 2017 - 21:26

Vetëm 3 ditë pas arritjes së marrëveshjes “Rama-Basha”, Presidenti i Republikës, në mbështetje të vullnetit të dy forcave politike ka vendosur ndryshimin e datës së zgjedhjeve parlamentare dhe atyre të pjesshme në Kavajë.

“Në respekt të Kushtetutës dhe dispozitave të Kodit Zgjedhor, si dhe bazuar në kërkesën e krerëve të mazhorancës dhe të opozitës për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare dhe të zgjedhjeve të pjesshme për kryetar të Bashkisë së Kavajës, pjesë e kësaj marrëveshjeje politike, Presidenti i Republikës vendosi të miratojë këto kërkesa, si vijon:

- Ndryshimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, më 25 qershor 2017. Theksojmë se kjo datë i përket ditës së dielë të fundit të periudhës zgjedhore të parashikuar në Kodin Zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.

- Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka vendosur të dekretojë të njëjtën datë, 25 qershor 2017, edhe për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të pjesshme për kryetar të Bashkisë së Kavajës”, tha Ols Lafe, drejtor i Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Po në mbështetje të marrëveshjes së arritur dhe pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama, Kuvendi njoftoi mbajtjen e një sesioni të jashtëzakonshëm të Parlamentit, të hënën në orën 18:00, raporton Top Chanel

Pika e parë e rendit të ditës është votimi i dekreteve të Presidentit Bujar Nishani për lirimin dhe emërimin e zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave. Pika e dytë është shqyrtimi dhe miratimi i paketës ligjore që ka lidhje me Reformën Zgjedhore. Pika e tretë është miratimi i anëtarëve të pakicës parlamentare në 3 komisionet “ad hoc” të “vetting”-ut, si dhe caktimin e zëvendësuesve. Ndërkohë, pikë e katërt është zgjedhja e kryetarit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që do të jetë propozim i opozitës, si dhe i një anëtari të KQZ-së.