LDK i reagon ashpër Ramush Haradinajt

Aktuale May 20, 2017 - 22:11

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklarimit të kandidatit të koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ku ky i fundit u shpreh se do t`i lë jashtë ata që nuk e kryejnë punën e tyre në administratat e shtetit.

LDK në një reagim drejtuar mediave ka shkruar se deklarimi i Haradinajt është shantazh publik.

Lexoni reagimin e plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj kërcënimit dhe shantazhit publik që kandidati i koalicionit të mesnatës, i bëri sot administratës shtetërore.

LDK garanton qytetarët e Kosovës, që me fitoren që do të arrij në zgjedhjet e 11 qershorit, do t'ia pamundësojë koalicionit të territ që t'i shantazhojë dhe t'i largojë nga puna punëtorët profesionalë të administratës, me synim që ta mbush atë me mbështetësit e tij. LDK ka plan konkret për reformë moderne në administratë dhe jo për largim me dhunë të njerëzve nga vendet e punës siç ndodh në vendet diktatoriale, forma që po propagandohen nga kandidati i koalicionit të territ, i cili, siç e ka humbur arsyen, do të humb edhe në zgjedhjet e 11 qershorit.