Krasniqi: Koalicioni u bë pasi u rrezikua siguria kombëtare

Aktuale May 20, 2017 - 18:35

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma, Jakup Krasniqi ka thënë se në rrethana politike, kur rrezikohet siguria kombëtare, tërësia territoriale, sovraniteti i shtetit e zhvillimi ekonomik, kërkohet bashkimi përtej programeve politike a ideologjike të partive politike.

“Ne duhet të jemi aty ku kërkohet bashkimi për kombin e shtetin! Sot, nga ne po kërkohet ky veprim dhe ne, nuk guxojmë të hezitojmë! Ne rrethana të tilla, vendimet janë të shpejta! Koha le t’i verifikoj!”, ka thënë Krasniqi, transmeton Klan Kosova.

Ai ka thënë se koalicioni PDK-AAK-Nisma është koalicioni i besimit për fitore, jo i frikësimit!

Kjo është pjesa tjetër e postimit të Krasniqit në Facebook:

“Në tri vitet e jetës politike të NISMËS për Kosovën, gjurmët e saja në jetën politike të Kosovës janë shumë të mëdha. Fal atyre që na besuan! Dhe ne, nuk i zhgënjyem!

NISMA pas zgjedhjeve të qershorit 2014, qytetarëve të Kosovës ua dha shpresën e ndryshimit, të cilën shpresë ua mohoi Kryetari i LDK-së; për herë të parë në jetën parlamentare në Kuvendin e Kosovës kishte një opozitë të bashkuar në të gjitha veprimet politike edhe veprimi më i freskët i NISMËS, Mocioni i mosbesimit i cili e ndërpreu Qeverisjen e keqe në Kosovë është i tillë. Gjithnjë në shërbim të ndryshimit e të bashkimit!

Ne jemi të bindur se edhe në të ardhmen, NISMA, duke qenë pjesë e koalicionit fitues do të vihet në shërbim të një qeverisje që do të ndryshojë rrënjësisht nga qeverisjet e kaluara. Vendime tjera të mëdha e presin NISMËN për Kosovën duke qenë pjesë e qeverisjes se ardhshme!

Nisma do të vazhdoj fuqishëm konsolidimin e parimeve progresive të socialdemokracisë moderne në Kosovë!

Ne, të NISMËS Për Kosovën jemi të bindur se: Kosova, vetëm me një parti socialdemokrate, që ligjin e ligjësimin e lirisë e të drejtësisë sociale e ka qëllim, mund t’i kalojë sfidat për ndërtimin e shtetit të se drejtës, të shtetit të zhvilluar ekonomik, të shtetit të dijës e të drejtësisë sociale, që qytetarin e sheh dhe e trajton si pronarin kryesor të vendit e jo si shërbëtor të qeveritarëve.

Shtetin e se drejtës duhet ta ndjejnë, ta duan, ta shohin e ta prekin qytetaret e Kosovës, kudo ku ata punojnë e jetojnë, si në sektorin publik e po ashtu edhe në sektorin private, si në qytet ashtu edhe në fshat. Qytetarët e këtij vendi duhet t’i mbron ligji nga skllavërimi e shfrytëzimi i egër që atyre ua bëjnë oligarkët financiarë.

Qytetarët e Kosovës, punëtorët e fshatarët, grat e burrat, të rejat e të rinjtë e Kosovës, duhet ta dinë se NISMA për Kosovën, Drejtuesit e saj, ishin në shërbim të tyre edhe atëherë kur nuk kishte parti e liri, edhe atëherë kur ishim në burgje a në luftë, do të jemi në shërbim të tyre edhe sot e nesër kur kemi liri e pavarësi, kur kemi shtet e të drejtën për sovranitet!

Cilësia e punës, e jetës dhe e sigurisë se qytetarëve varet shumë se çfarë shteti po ndërtojmë! Shtet, për qytetarë të lirë apo shtet, për sundimtarë satrap. Shteti është i qytetarëve dhe për qytetarët!

Lirinë që e sollëm dje me qytetarët e për qytetarët, sot se bashku me qytetarët do ta forcojmë sovranitetin pa fusnotë, do të vendosim prioritet zhvillimin, sigurinë, shtetin e se drejtës, shtetin e drejtësisë sociale, shtetin me arsim të avancuar e shëndetësi të përparuar!

Kosova ka pasuri për të pasur më shumë mirëqenie qytetari i saj! Edhe sot, angazhimi ynë është për qytetarët, për mirëqenien e sigurinë e tyre! Ndryshimin ua kemi borxh qytetarëve te Republikës!

Më 12 qershor 20117 do të fillon numërimi i orientimit të ri, për një qeverisje të Re. Një qeverisje që garanton vendimmarrje sovrane në shtetin e se drejtës!

Ne, të NISMËS, kurrën e kurrës nuk do t’i pranojmë marrëveshjet nënshtruese me të cilat mund të humbin territor e sovranitet!Territori e Sovraniteti për ne janë e do të janë të paprekshëm!

Qytetarëve tanë, vetëm parimet dhe politikat socialdemokrate mund t’ju sigurojnë perspektivë e mirëqenie. Sigurisht që për këto politika, kërkohet një mbështetje e fuqishme e qytetarëve.

Qytetarët e Kosovës do ta kenë rastin të rreshtohen e t’i ndihmojnë vlerat e socialdemokracisë, vlera që Botës Perëndimore i kanë sjellë progres e zhvillim! Progresi dhe zhvillimi i duhet Republikës sonë!

NISMA, interesit kombëtar do t’i qëndrojë Besnik, në çdo kohë e në çdo rrethanë!

Qytetarë të Kosovës,

Socialdemokratë të Kosovës,

Në rrethana politike, kur rrezikohet siguria kombëtare, tërësia territoriale, sovraniteti i shtetit e zhvillimi ekonomik, po kërkohet bashkimi ynë përtej programeve politike a ideologjike të partive politike. Ne duhet të jemi aty ku kërkohet bashkimi për kombin e shtetin! Sot, nga ne po kërkohet ky veprim dhe ne, nuk guxojmë të hezitojmë! Ne rrethana të tilla, vendimet janë të shpejta! Koha le t’i verifikoj!”.