Krasniqi: Nuk kishim problem me PDK-në, kishim me Thaçin

Aktuale May 20, 2017 - 10:14

Kryetar i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se bashkë me Fatmir Limajn e braktisën vite më parë PDK-në, pasi që, siç thotë ai, kishin probleme me keqqeverisjen e Hashim Thaçit, në atë kohë kryeministër i vendit, e jo me partinë dhe anëtarësinë e saj.

Zëri: Kur z. Veseli zyrtarisht hyri në PDK ju dhe z. Limaj braktisët partinë, të cilën e themeluat. Derisa atëherë nuk kishte hapësirë veprimi në PDK, a do të keni tash në koalicion parazgjedhor apo në koalicion qeveritar nëse i fitoni zgjedhjet?

Krasniqi: Ne nuk kemi pasur probleme me PDK-në, me anëtarësinë e saj të mrekullueshme, kemi pasur probleme me vendimmarrjen dhe keqqeverisjen e Hashim Thaçit. Ky koalicion është bërë për t'ia dhënë një orientim të ri vendit dhe një besim të ri për ndryshim. Nëse ky koalicion nuk do ta ndryshojë thellësisht qeverisjen dhe vendimmarrjen për të krijuar siguri për punë e jetë në vend, ne do ta kundërshtojmë e denoncojmë pa hezituar. Politikat tona janë të qarta sa edhe progresiste. Vetëm dhe vetëm qeverisja e mirë qytetarëve ua kthen besimin dhe perspektiven për të jetuar në Kosovën e lirë, sovrane e demokratike!