Ymeri: Pranimi i rezultateve të zgjedhjeve varet nga ecuria e tyre

Aktuale May 19, 2017 - 21:15

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, ka bërë me dije se pranimi i rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit varet nga ecuria e tyre.

Ai ka theksuar se VV-ja është infrastrukturë e zhvillimit të Kosovës dhe për këtë është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë ata që e duan edhe të vërtetën dhe të drejtën për Republikën e Kosovës.

Ymeri në emisionin “Monitor”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka thënë se qeverisja e kaluara ka qenë e dështuar dhe nuk ka sjellë kurrfarë zhvillimi për vendin. Ymeri ka thënë se VV-ja ka qenë shumë zemërgjerë ndaj partive të tjera edhe në kohën e VLAN-it e të VAN-it.

Sipas tij bashkëpunimi po pamundësohet për poste dhe po braktiset parimi për ndryshim. “VV-ja do të garojë e vetme në këto zgjedhje, por me entuziazmin e qytetarëve të Kosovës. Këto koalicione të natës nuk janë bërë për të mirën e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij Lëvizja Vetëvendosje, është e vërteta në politikë dhe e drejtë për Republikën e Kosovës. Ai ka akuzuar partitë e tjera se nuk kanë treguar seriozitet në politika.

“VV-ja nuk është vetëm, ne jemi me qytetarët e Kosovës. Nuk kemi as frikë as panikë për këto zgjedhje”, ka thënë ai.

Ymeri ka përmendur edhe në këtë emision se i kanë bërë ftesë LDK-së, që të hyjnë në listën e përbashkët të VV-së. Po ashtu ai ka folur edhe për bisedat që i kanë pasur me Aleancën Kosova e Re (AKR). “Kemi pasur diskutime e përafrime, por nuk treguan pse nuk vazhduan me ne. Ndoshta diçka që e shtyri AKR të shkoj më LDK-në”, ka thënë Ymeri.

Zgjedhjet e 11 qershorit sipas Ymerit janë referendum për të ardhmen. I pari i VV-së, ka vlerësuar se ka interesim dhe vullnet për këto zgjedhje.

‘Këto zgjedhjet do të prodhojë rezultate më të mira për Kosovën. Populli do t’i ndëshkojë ato parti që i kanë sjellë këtë mjerim popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Sa i përket koalicioneve pas zgjedhore, Ymeri ka bërë me dije se do të shohin se pas 11 qershorit se me kë do të kenë ura të bashkëpunimit.

VV-ja do të ndajë 400 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, ka pohuar se problemi më i madh i Kosovës është zhvillimi ekonomik i vendit.

“Përmes mobilizimit duhet që të vemi në dispozicion potencialet tona. Për 4 vitet ne do të vemi 400 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Përmes vendeve të punës dhe mbrojtjes së punëtorëve”, ka thënë ai. Sipas tij edhe mërgata do të jetë ajo që do të ndihmojë zhvillimin.

Ai ka folur edhe për demarkacionin dhe Asociacionin. Sipas tij marrëveshja duhet të arrihet më Malin e Zi, dhe jo të shënohet në dëm të Kosovës ose të Malit të Zi. Sipas tij Asociacioni është ndalur përmes protestës së qytetarëve dhe qëndrueshmërisë së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se për këtë edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka vendosur për Asociacionit se është në kundërshtim me kushtetutën.