Asambleistja e Nismës aderon në Vetëvendosje

Aktuale May 19, 2017 - 19:04

Behie Sertolli, asambleiste e Nismës për Kosovën në Kuvendin Komunal të Malishevës, ka dhënë dorëheqje nga ky subjekt, duke ju bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë njoftim ajo e ka bërë nëpërmjet rrjetit social facebook, ku ka publikuar edhe një fotografi me kryetarin e VV-së Visar Ymeri.

Ajo ka thënë se këtë vendim ndër të tjera e ka marr për shkak të koalicionit që Nisma ka bërë me PDK-në, dhe i është bashkuar VV-së për shkak se është subjekti i vetëm politik i cili përfaqëson vullnetin dhe interesin qytetar në vend.

Më poshtë postimi i plotë i asambleistes Sertolli:

Të dashur qytetarë,

Angazhimi im në jetën politike që nga fillimi ka qenë që të punojmë dhe japim kontributin për të ndryshuar gjendjen jo të mirë politike dhe shoqërore në Malishevë e më gjerë.

E përkushtuar për të qenë pjesë e organizimeve të tilla vite më parë iu pata bashkuar fillimisht IQM-së e pastaj Nismës për Kosovën si një përgjigje ndaj nevojës për ta ndryshuar gjendjen dhe për t’i ndalur politikat aspak progresive të PDK-së.

Për më tepër ne ftuam qytetarët që të na përkrahin në rrugëtimin tonë dhe vetëm me përkrahjen e tyre arritëm të krijojmë një realitet të ri politik në Malishevë, i cili duhej të ishte e kundërta e PDK-së.

Mirëpo, vendimi që Nisma të hyjë në koalicion me PDK-në ka krijuar me të drejtë pakënaqësi tek shumë anëtarë të Nismës por edhe tek qytetarë të tjerë, pasi që ky vendim është në kundërshtim të plotë me vet idenë dhe bazën mbi të cilën është themeluar Nisma.

Bashkimi me ata që mbahen si fajtorët kryesor për gjendjen në vend është në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Malishevës dhe të Kosovës.

Andaj, me qëllim që të mbetem pranë qytetarëve të cilët më votuan që të ndjekë parimet e përfaqësimit të drejtë të tyre, nga sot aktiviteti im politik do të vazhdoj përkrah Lëvizjes VETËVENDOSJE! si subjekti i vetëm politik i cili po tregon që përfaqëson drejtë vullnetin dhe interesin qytetar në vend.

Me respekt,

Behie Sertolli