Mustafa: Ne jemi për reforma, PDK-AAK-Nisma për kapje të shtetit

Aktuale May 17, 2017 - 15:42

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sot në një konferencë, ka thënë se partia që ai drejton janë për reforma, derisa ka thënë se PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma janë për kapje të shtetit.

Edhe pse kaluan dy vite e gjysmë qeverisje me ish-partnerin e koalicionit PDK-në, i pari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se koalicioni i krijuar mbrëmë në mesnatë në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nismës, janë për kapje të shtetit.

Pos kësaj, Mustafa ka përmendur, siç thotë ai, sukseset e Qeverisë së tij që zgjati 2 vite e gjysmë, derisa mocioni i mosbesimit i krijuar nga opozita e rrëzoi këtë Qeveri.

“Edhe këto zgjedhje do të vendosin se e kujt do të jetë ardhmëria e këtij vendi, në duar të kujt do të mbetet ky vend në të ardhmen, a do të jetë në duart e atyre që do të dëshmojnë reforma substanciale, apo të atyre që nuk ju intereson asgjë tjetër përpos kapja e shtetit dhe pushtetit”, ka thënë Mustafa në konferencën e titulluar “Me gruan për zhvillim të qëndrueshëm”, transmeton Gazeta Express.

Mustafa ka potencuar se këto zgjedhje që do të mbahen më 11 qershor, “do të vendosin se do të ecim rrugës së zhvillimit ekonomik apo do të ecim rrugës së rikapjes edhe të njëhershme të këtij shteti që do të ishte dëm i madh për vendin tonë”, ka thënë ai.

“Këto zgjedhje mendoj se po ashtu do të vendosin se a do të hyjmë në rrugën e çlirimit të vendit tonë nga korrupsioni, nga krimi i organizuar apo do t’ju rikthehemi praktikave skandaloze me të cilat për fat të keq jemi ballafaquar dhe të cilat po i kushtojnë dhe do t’i kushtojnë fort këtij vendi”, ka thënë Mustafa në konferencë.

Ndryshe, mbrëmë, pak para mesnatës, PDK-ja ka arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor me AAK-në dhe Nismën, për zgjedhjet e 11 qershorit. /GazetaExpress/