Mediat serbe parashikojnë fitore të ‘krahut të luftës’ në zgjedhjet e qershorit

Aktuale May 17, 2017 - 15:09

Skena politike në Kosovë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 qershor është ndarë në dy blloqe ‘krahu i luftës dhe koalicioni i paqes’.

Kështu e përshkruan portali serb B92.

Një bllok përbëhet nga partitë që rrjedhin nga ‘krahu i luftës’ që përbëhet nga Partia Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë, Nisma për Kosovën dhe nëntë parti të vogla, transmeton lajmi.net.

Ndërsa blloku i dytë ‘koalicioni i paqes’ përbëhet nga Lidhja Demokratike, Aleanca Kosova e Re dhe iniciativa Alternativa.

Media serbe shkruajnë se kreu i LDK-së, Isa Mustafa arriti ta bind i pari AKR-në e Behgjet Pacollit për të hyrë në një koalicion parazgjedhor, duke e rrezikuar kështu seriozisht primatin e PDK-së.

Nga frika se nuk do të jetë partia e parë në vend, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në mesnatë vendosi të hyjë në koalicion me AAK dhe Nismën duke i dhënë kështu Ramush Haradinaj kandidaturën për kryeministër.

Duke i shikuar numrat PDK ishte së bashku më shtatë parti të vogla, por pa AAK dhe Nismën do të dilte në vendin e dytë dhe për këtë shkak u detyrua të pajtohet me kërkesën e AAK-së.

Nëse shikohen rezultatet e zgjedhjeve të fundit, sipas vlerësimeve të analistëve, koalicioni PDK-AAK-Nisma më nëntë partitë e tjera do të ketë 100 mijë vota më shumë se koalicioni LDK-AKR.

Pra ky koalicion tanimë është fitues i sigurt i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë koalicion parazgjedhor me asnjë parti dhe sipas të gjitha gjasave mbetet palë e tretë politike në Kosovë.