Kosova 1.9 milion votues, 1.7 milion banorë!

Aktuale May 16, 2017 - 07:53

Vlerësohet se në listat zgjedhore janë mbi 615 mijë votues më shumë se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë. Gjithë ky dallim i madh në statistika është për shkak të dështimit të vazhdueshëm të institucioneve në pastrimin e listave zgjedhore, si rezultat i së cilës në të kaluarën kanë ndodhur keqpërdorime masive të votave në vend, shkruan sot, gazeta Zeri.

Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor të këtij viti, kanë rreth 1.9 milion kosovarë, përderisa sipas statistikave zyrtare vendi nuk i ka as 1.8 milion banorë.

Gjithë kjo “fryrje” e numrit të votuesve është për shkak të mospastrimit të listave zgjedhore në vend, proces ky që ka dështuar në vazhdimësi që nga paslufta. Pikërisht për shkak të mospastrimit të këtyre listave në Kosovë në të kaluarën ka ndodhur manipulime të mëdha me vota.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, ka thënë për gazetën “Zëri” se listat zgjedhore në këtë proces zgjedhor të parakohshëm janë të pastruara.

“Kjo është një çështje e cila në çdo zgjedhje diskutohet, po ata janë të gjithë votues dhe i përfshin të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët janë të regjistruar në regjistrin civil, sepse ne e marrim ekstraktin nga regjistri civil. Aty janë të përfshirë të gjithë diaspora dhe të gjithë qytetarët të cilët janë të regjistruar, ata kanë edhe të drejtë vote”, ka thënë Daka.

Por me shefen e KQZ-së nuk pajtohet Mytaher Haskuka, i cili ka qenë deputeti i partisë më të madhe opozitare, lëvizja “Vetëvendosje”, në legjislaturën e fundit.

Haskuka thotë për “Zërin” se nëse bëhet një kalkulim i thjeshtë del se në listat zgjedhore janë 615 mijë persona më shumë sesa që ka banorë Kosova.

“Sipas KQZ-së Kosova i paska 1.885.147 votues, ndërsa sipas ASK-së në Kosovë jetojnë 1.78 milion banorë. Nëse kësaj shifre ia heqim ata që janë nën moshën 18-vjeçare, që i bie minimum rreth 510.000, na mbesin 1.270.000 votues rezidentë. Diferenca ndërmjet numrit të votuesve dhe atyre që janë rezidentë në Kosovë po del mbi 615 mijë”, ka thënë Haskuka.

Kurse kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, thotë se organet e rendit në Kosovë gjithmonë i kanë ndëshkuar individët që kanë bërë shkelje të procesit zgjedhor.

E një gjë e tillë sipas Lumezit do të ndodhë edhe në procesin zgjedhor të 11 qershorit.

Sipas tij në vitin 2014 kanë pasur vetëm 13 raste ku është ngritur aktakuza për shkak të keqpërdorimit të votës.

Në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) konsiderojnë se manipulime mund të këtë edhe në zgjedhjet e 11 qershorit.

Hulumtuesi në këtë institut, Eugen Cakolli, mendon se praktika e kaluar ka dëshmuar se situata të keqpërdorimit të votave mund të ketë edhe sivjet.

“Mundësia e vetme mbetet periudha e kundërshtimit, ku qytetarët mund të kundërshtojnë dhe ta sfidojnë Listën e Votuesve deri më datën 29 maj. Megjithatë, marrë parasysh edhe proceset e kaluara zgjedhore, nuk pritet që as këtë vit të ketë kundërshtime të mëdha, pasi që shumica e qytetarëve nuk kanë kërkuar zyrtarisht çregjistrimin e të afërmve të vdekur nga regjistri civil”, ka deklaruar Cakolli.

Më tej ai cek se mospastrimi i listave mbetet njëra ndër fenomenet më negative që ka karakterizuar procesin zgjedhor në Kosovë.

“Në fakt pikërisht për shkak të kësaj dukurie në vitin 2010 ka pasur manipulim masiv të votave. Ky proces është neglizhuar vazhdimisht nga organet përgjegjëse”, ka thënë ai.

Sipas Cakollit përgjegjësia për pastrimin e listave nuk është mbi supet e KQZ-së.

“Procedura për pastrimin e listës, në fakt, nuk është nën juridiksionin ekskluziv të KQZ-së, pasi që ekstraktet e regjistrit civil sillen nga Qendra e Regjistrimit Civil. Ky organ është përgjegjës për heqjen e personave të vdekur dhe atyre që u është marrë zotësia e veprimit nga Lista e Votuesve”, ka shtuar tutje ai.

Duke sugjeruar që pastrimi i listave zgjedhore të fillojë të pastrohet pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme.

“KQZ-ja dhe organet tjera përgjegjëse do të duhej që pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve të fillojnë seriozisht të punojnë në pastrimin e listave zgjedhore, apo të ndryshohet forma e përpilimit të listës zgjedhore dhe të aplikohen modele më praktike, siç është regjistrimi aktiv i votuesve”, ka përfunduar Cakolli.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, vlerëson se manipulimi me listat zgjedhore do të vazhdojë.

“Derisa të mos pastrohen listat zgjedhore hapësira për manipulim do të ekzistojë. Organet përkatëse duhet që t’i pastrojnë listat në mënyrë që të ketë vërtet zgjedhje të mira dhe pa dyshime për manipulime. Si të krijohet besimi se do të ketë zgjedhje të mira kur sipas KQZ-së në Kosovë janë gati 1.9 milion votues, ndërkohë që regjistrimi i popullsisë nxjerr shifrën rreth 1.8 milion banorë?”, ka deklaruar Mushkolaj.