Ivanov ka katër ditë afat për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë

Aktuale May 15, 2017 - 17:06

Kur kanë mbetur edhe katër ditë nga afati për dhënien e mandatit, akoma nuk dihet se kur do të realizohet takimi i paralajmëruar i kreut të LSDM-së Zoran Zaev dhe Presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov ku pritet të jepet garanca për unitetin e vendit.

Në prag të kolapsit total të institucioneve lokale dhe drejtimit të vendit nga Qeveria teknike edhe pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, shumica e re bën thirrje për dhënien e shpejtë të mandatit dhe formimin e Qeverisë së re.

“Është çështje dite. Çdo ditë presim që do të dorëzohen këto garance ose shkrime që z. Ivanov ta kuptojë të vërtetën se nuk rrezikohet as uniteti i vendit dhe as Kushtetuta. Jemi dëshmitar se kjo ishte lojë e tij politike vetëm për të kënaqur Nikolla Gruevskin. Jemi të gatshëm dhe kur të jetë i gatshëm edhe ai, ne mund ta bëjmë këtë”, deklaroi Damjan Mançevski, nënkryetar i LSDM-së.

“Sa më shpejt të realizohet themelimi, krijimi dhe procedura dhe procedurat sa i përket formimit të Qeverisë së shumicës së re reformuese dhe normal sa më shpejt të ndodh një gjë e tillë është më mirë për të gjitha institucionet është më mirë për vendin për qytetarët pra momentalisht në këtë stadium pune jemi”, tha Teuta Arifi, nënkryetare e BDI-së.

Për VMRO-DPMNE-në, mandati është thjeshtë një justifikim që shfrytëzohet nga partia e Zaevit për të mos u caktuar zgjedhjet lokale të cilat sipas tyre, janë më të rëndësishme dhe të patjetërsueshme.

Megjithatë për ekspertët, zhvillimet në pushtetin qendror dhe atë lokal duhet të shkojnë në mënyrë paralele. Sipas juristit Naser Ziberi, Qeveria aktuale teknike nuk ka kompetencë për organizim të zgjedhjeve lokale.

“ Këto dy aktivitete duhet të zhvillohen në mënyrë paralele në mënyrë që të zhbllokohet edhe pushteti lokal që të mund të funksionojë normalisht tani e tutje por njëkohësisht të konstituohet edhe Qeveria. Asnjëri nga këto pushtete, në qoftë se mbetet me status quon aktuale, shteti nuk mund të funksionojë, qytetarët nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe do të vijë deri ten je kolapsit ekonomik dhe social dhe politik”, u shpreh juristi Naser Ziberi.

Sipas Ziberit, zgjidhja e çështjes së zgjedhjeve lokale, do t’i jepte komoditetin VMRO-DPMNE-së që edhe më tej të pengojë formimin e Qeverisë, shkruan AlsatM.

“Llogaritet se në qoftë se caktohet data e zgjedhjeve të ardhshme lokale, me këtë do të debllokohet funksionimi normal i Komunave, atëherë mund të jetë në një komoditet më të mirë VMRO-DPMNE-ja që Ivanov ta shtyn dhe mos ta japë mandatin dhe ta detyrojë shumicën e re parlamentare që pa mandate të bëjë formimin e Qeverisë dhe me këtë t’i krijohet pretekst sërish VMRO-DPMNE-së siç bëjnë me mos-njohjen e zgjedhjes së kreut të Parlamentit, të thotë se edhe Qeveria nuk është zgjedhur komfor Kushtetutës”, shtoi Ziberi.

Pas letrës së dërguar në Kabinetin e presidentit nga kreu i ri i Kuvedit, Xhaferi tha se Ivanov ka afat deri në datën 19 për të dhënë mandatin.

Në rast se kjo nuk ndodh, shumica e re nuk e përjashton mundësinë që Qeveria të votohet edhe pa mandat nga Presidenti.