Alternativa, Abdixhiku e Selmanaj sot i bashkohen LDK-së

Aktuale May 15, 2017 - 10:52

Lidhjes Demokratike të Kosovës pritet që sot t’i bashkohet subjekti më i ri politik "Alternativa" e Mimoza Kusarit.

Burime të Express mësojnë se gjatë ditës së sotme LDK-ja do t’i prezantojë edhe aderimet e reja.

Sipas të njëjtit burim, deri në mesditë pritet që kësaj partie t’i bashkohet njohësi i çështjeve ekonomike Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku do ta zyrtarizojë sot aderimin në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Tash e disa ditë në media u raportua për këtë aderim të Abdixhikut, pas një takimi që ky i fundit kishte pasur me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, por nuk kishte asgjë zyrtare. Por ky nuk është aderimi i vetëm.

Para dy ditësh Gazeta Express pati raportuar se LDK-së pritet t’i bashkohet edhe një analist.

E bashkë me Abdixhikun, LDK-së do t'i bashkohet edhe analisti Driton Selmanaj dhe disa të rinj.

Selmanaj ka vendosur që t’i bashkohet partisë së Isa Mustafës ani pse dje në një deklaratë për Express ai ka thënë se është duke diskutuar me partitë kryesore politike, me përjashtim të PDK-së, për të vazhduar jetën publike.

“Jam në bisedime. S’ka asgjë konkrete”, tha ai dje për Express.

Selmanaj është pjesë e shoqërisë civile dhe analist në njërin prej televizioneve nacionale.

Ka mbajtur qëndrim kritik sidomos ndaj PDK-së derisa ishte pjesë e debateve.

Kanë mbetur edhe më pak se një muaj prej kur pritet të mbahen zgjedhjet nacionale pasi, ka rënë Qeveria e ndërtuar nga PDK-ja e LDK-ja.