Haradinaj: Lista Srpska dorë e zgjatur e Serbisë, prandaj nuk e do Ushtrinë

Aktuale April 29, 2017 - 11:10

Deputeti nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se bllokada politike në vend është duke vonuar proceset me rëndësi për vendin.

Ai këtë e ka thënë në një tryezë të organizuar nga Asociacioni i Paktit Atlantik i Rinisë së Kosovës ku është diskutuar rreth integrimeve euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, njofton Klan Kosova.

“Kosova ka dal prej luftës duke mos trashëguar ndonjë forcë ushtarake sikurse vendet tjera të ish-Jugosllavisë”.

“Prandaj ka filluar nga zero krijimin e forcave të saj ushtarake”, ka thënë Haradinaj.

Ai këtu ka theksuar se problem i Kosovës në themelimin e ushtrisë është Lista Serbe.

“Ajo është dorë e zgjatur e Serbisë dhe nuk pajtohet me ndryshimet kushtetuese që kërkohen për themelimin e ushtrisë”, ka shtuar Haradinaj.

Por, sipas tij edhe bllokada politike që po ndodhë muajt e fundit po i vonon proceset, sikurse është edhe çështja e demarkacionit.

“Qeveria e ka injoruar krijimin e legjislativit në përputhje me direktivat që çojnë në anëtarësim në NATO.

“NATO ka kontribuar në Kosovë në trajnime të trupave tanë tash e pas luftës”, ka vazhduar ai.

“Por për çudi nuk ka asgjë konkrete për anëtarësim në këtë organizatë dhe se 83% të trupave të FSK-së janë pensionuar vetëm duke u trajnuar.

Haradinaj ka thënë se shpreson që gjeneratat e reja ushtarake të mos pensionohen vetëm duke ndjekur trajnime dhe se për këtë NATO duhet të marrë hapa konkret.