Viktimat e dhunës seksuale po vdesin në pritje të mbështetjes nga shteti

Aktuale April 27, 2017 - 14:53

Qeveria ka zvarritur funksionalizimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës. Mijëra viktima të dhunës seksuale gjatë luftës nuk po marrin ndihmë shtetërore. Vetëm në rajonin e Drenicës 12 nga këto viktima kanë ndërruar jetë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës në Kosovë nuk është funksional.

Ky komision ishte paraparë të themelohet që në vitin 2014, por që nga ajo kohë Qeveria ka zvarritur funksionalizimin e këtij komisioni.

Si pasojë e mospunës së komisionit mijëra viktima të dhunës seksuale gjatë luftës nuk po marrin ndihmë shtetërore.

Vetëm në rajonin e Drenicës 12 nga këto viktima kanë ndërruar jetë.

Të tjerat po përballen me sëmundje si pasojë e dhunës seksuale dhe torturave të ushtruara ndaj tyre. Ligji me të cilin trajtohen viktimat e dhunës seksuale është aprovuar në vitin 2014 dhe ka nisur së implementuari për kategoritë tjera të luftës, por dhe jo edhe për viktimat seksuale.  

Kadire Tahiraj, drejtoreshë e “Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave”, thotë se sikur të implementohej ky ligj, këto viktima nuk do të ndiheshin me faj.

“Është ndryshe kur të mbron ligji. Atë fajin që secila femër e ka mbajtur qe 17 vjet e sheh tani si vepër të tjetërkujt. Turpi e stigma hiqen kur të mbron shteti, kthehet identiteti i gruas, ndihet jofajtore, e di edhe gruaja që ka qenë shumë e pafajshme”.

12 viktima seksuale kanë ndërruar jetë duke pritur zbatimin e ligjit

Tahiraj thotë për gazetën se institucionet në raport me këtë kategori kanë heshtur përveç që, sipas saj, ka heshtur edhe viktima.

“Është një kategori që nuk ka muskuj të dalë në protesta sikurse dalin tjerat kategori, ku ndoshta edhe duke u revoltuar marrin ato të drejta të tyre.

“Pra është një kategori që hesht dhe duhet ta kuptojmë për plagën që ka bartur, vuajtjet që ka bartur tash e 17 vjet, gjithkush duhet ta paramendojë sikur të ishte një familjar i tyre”, thotë Tahiraj, duke shtuar se madje këto viktima është dashur të mbrohen shumë më herët.

Në rajonin e Drenicës deri më tani si pasojë e dhunimit seksual ajo thotë se kanë vdekur 12 viktima prej moshës 41 deri në moshën 50-vjeçare.

“Por dhe tani njëra nga to ka probleme shumë të mëdha shëndetësore, ka kryer gjithsej deri tani 12 operacione. Gjatë dhunimit kjo grua ka qenë shtatzënë gjashtëmuajshe, e ka humbur fëmijën. Tani ka gjendjen e rëndë shëndetësore dhe po ashtu edhe ekonomike, dhe më kurrë nuk ka pasur fëmijë si pasojë e dhunimit”. Ajo nuk beson se me gjendjen shëndetësore që kanë tani këto viktima mund ta gëzojnë pensionin që u takon me ligj më shumë se dhjetë vjet. “Çdoherë mosha po ecën, gjendja po u keqësohet dhe po vijnë më pranë vdekjes”, thotë ajo për gazetën.

Tahiraj thotë se njëra nga vajzat e dhunuara gjatë luftës që ka qenë 12-vjeçare tani ka 30 vjet dhe është e paarsimuar, e papunësuar dhe e papërkrahur nga askush.

“Kemi raste që ka jetuar me nënën, nëna i ka vdekur, tani ka mbetur vetëm. Kemi raste që burri e ka lënë, e ka larguar nga shtëpia dhe ia ka ndalur fëmijët, ajo ka mbetur në dorë të familjes së saj”, rrëfen ajo.

Viktimat u paragjykuan dhe nuk u përkrahën nga shoqëria

Tahiraj thotë se asnjë femër nuk mund të dalë dhe thotë unë isha e dhunuar.

“Femrat kanë dhënë shumë intervista dhe deklarata. Ka dalë një grua e Gjakovës publikisht dhe ka vdekur, çka përfitojë ajo, sot varri i saj bëhet me gisht nga çobanët, të cilët i ruajnë delet “shih ja kjo që ka qenë e dhunuar”.

Ajo thotë se qe 17 vjet nga këto gra është drejtuar vetëm gishti dhe jo ndihma.

“Si ta bënin krimin këto e jo dikush krim ndaj tyre”, thotë Tahiraj.

Tahiraj thotë se fajtore tash e sa vite janë institucionet që nuk janë marrë me këtë çështje.

“Falë ish-presidentes Atifete Jahjaga është ngritur kjo çështje. Sikur të ishin marrë nga fillimi i pasluftës me këtë çështje, besoj se nuk do të kishte me qenë kaq i madh paragjykimi. Gruaja gjatë luftës ka qenë e pambrojtur, e paarmatosur. Ne e dimë se kriminelët si mjet të luftës e kanë shfrytëzuar edhe dhunimin, kanë prekur nderin e shqiptarit dhe gruas i rritet vuajtja çdo vit e më shumë”.

Ajo thotë se mundësitë e qendrës që t’i dalë në ndihmë kësaj kategorie janë pak.

“Gjendjen si shëndetësore ashtu edhe ekonomike e kanë shumë të rëndë. Falë qendrës kosovare që ofron medikamente falas e marrin vetën. Gjitha këto gra janë me tension e me depresion. Dhe medikamentet e tyre janë shumë të shtrenjta. Vetëm falë Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ofrohen medikamente për to”.

Ajo tregon se këto viktima kanë probleme me infeksione, tensione...

Apel kryeministrit: Funksionalizoje komisionin!

Më 14 prill të këtij viti Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës së bashku me Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës, “Medica Kosova”, “Medica Gjakova” dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, kërkesë për themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë.

“QKRMT-ja përmes kësaj shkrese kërkon nga kryeministri Mustafa që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë, komision ky që ishte paraparë të themelohet në vitin 2014 sipas Ligjit nr 04/L-172”, thuhet në komunikatë.

Por, as pas kësaj kërkese nuk ka reaguar Qeveria.

Ndërsa Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se të gjitha kategoritë e luftës janë trajtuar deri më tash, ndërsa këto viktima presin të trajtohen.

“Është zhgënjim për viktimat”.

Rushiti thotë se shumë nga to kanë ndërruar jetë duke pritur përkrahje.

“Vetëm OJQ-të kanë qenë ato që u kanë ofruar shërbime dhe kanë qenë parciale, jo të vazhdueshme. Prej Qeverisë asnjëherë asnjë benificion nuk kanë përfituar deri më tash”, thotë Rushiti, duke apeluar që sa më shpejt komisioni të bëhet funksional.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999 janë dhunuar rreth 20 mijë gra kosovare. /ZËRI/