Daçiq- liderëve shqiptarë: Ta harrojmë të kaluarën, të anëtarësohemi në BE

Aktuale April 24, 2017 - 18:18

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se qëllimi i Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në BE.

Ai ka thënë se ky qëllim mund të bëhet vetëm me hapa të mëdha përpara, e jo deklarata zjarrvënëse.

Daçiq ka përcjellur mesazhin e Komisionerit Evropian, Johanes Hahn i cili ka theksuar se Serbia pas zgjedhjes së presidentit të ri dhe formimit të qeverisë së re republikane duhet të vazhdoj të zbatojë prioritetet e saj, ndër të cilat më të rëndësishmen anëtarësimin në BE, transmeton lajmi.net.

“Ne presim që në fund të qershorit në konferencën e ardhshme ndërqeveritare të hapen kapituj të tjerë. Ne shpresojmë se do të jenë katër. Megjithatë të jenë të mjaftueshëm sa për të vazhduar dinamika dhe procesi i avancimit në rrugën e integrimit evropian”, ka thënë Daçiq pas bisedimeve me Hahn.

Ai ka shtuar, se Ballkani kërkon interesa të përbashkëta dhe moskthim në të kaluarën pasi kjo shkakton konflikt dhe kërcënim për paqen dhe stabilitetin.

Sipas Daçiq, deklaratat e liderëve shqiptarë në formimin e Shqipërisë së Madhe, nëse mungon perspektiva evropiane e rajonit, nuk përshtaten me idenë e Serbisë.

“Së bashku ne kemi deklaruar se Serbia është në rrugën e duhur dhe është e nevojshme të harrohet e kaluara, për këtë kemi nevojë për hapa të mëdha. Shpresoj se rruga për në BE nuk do të ndalet”, ka theksuar ministri i Jashtëm serb.

Ai shtoi se Serbia do të bëjë gjithçka për të kontribuar në vazhdimin e dialogut me Prishtinës, por që pritet të përmbushë atë që është më e rëndësishme për Serbinë, e kjo është formimi i komunave serbe.