Shtyhet për të martën mbërritja e ndërkombëtarëve në Tiranë

Aktuale April 24, 2017 - 14:50

Shtyhet për nesër mbërritja e ndërkombëtarëve në Tiranë për të negociuar për krizën politike. Mbërritja e David McAllister dhe Knut Fleckenstein ishte parashikuar për sot pasdite, por është shtyrë për nesër në mëngjes, ndërsa do të qëndrojë në Tiranë 6 orë.

David McAllister është zv/Presidenti i Partisë Popullore Europiane dhe kreu i komitetit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian, është një nga njerëzit e besuar të grupimit më të madh politik të të djathtës europiane dhe i kancelares gjermane Angela Merkel, por njëkohësisht edhe një i njohur i kryetarit demokrat Lulzim Basha.

Ai do të qëndrojë 6 orë në Shqipëri në përpjekje të zgjidhjes së krizës politike, por arritja e qëllimit parashikohet shumë e vështirë, pasi opozita ka itensifikuar aksionin.

McAllister dhe Fleckentsein do të kenë për mision gjetjen e një rrugëzgjidhje mes maxhorancës dhe opozitës e cila do të çonte në dhënien fund të ngërçit politik dhe zhvillimin normal të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

David McAllister do të takojë në Tiranë, kryeministrin Rama, kryetarin e Kuvendit, Meta, i cili ka anuluar edhe një vizitë jashtë vendit për shkak të mbërritjes së David McAllister.

Zv/Presidenti i Partisë Popullore Europiane pas Ramës dhe Metës do të takojë edhe kryetarin e PD, Basha në përpjekje për ta bindur të dalë nga çadra dhe të futet në zgjedhje.