'Vendi do shkojë në zgjedhje në fillim të qershorit'

Aktuale April 23, 2017 - 19:47

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se vendi do shkojë në zgjedhje të parakohshme në fillim të qershorit.

Sipas tij, tashmë simptomat për zgjedhjet janë publike dhe për këtë do kuptohet brenda javës qe vjen.

Të gjitha këto ai i tha në një prononcim për Indeksonline, ku edhe komentoi deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa i cili po vazhdon t’i kundërshtojë zërat për zgjedhjet e parakohshme.

“Në zgjedhje po shkojmë ne fillim qershorit me Isen ose pa të. Tashmë simptomat janë publike dhe më hollësisht për këtë do kuptohet brenda javës së ardhshme”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, deklaratat e kryeminsitrit Mustafa se “po rrezikohet liberalizimi i vizave, ushtria dhe investimet duke kërkuar zgjedhje të reja”, Berisha i quan “muhalife”.

“Isa me këtë qëndrim jo të sinqert ma kujton një fjalë popullore “zgjate Zot edhe naj ditë”. Përndryshe ai e di se po të shkohet në zgjedhje më kurrë nuk bëhet kryeministër. Ai çdo gjë që ja rrezikon karrigen e tij e lidh me liberalizimi e vizave, ‘muhalife’ koti”, ka shtuar ai.

Përndryshe, tashmë një kohë të gjatë janë shtuar zërat se do ketë zgjedhje të parakohshme. Data 4 qershori është përmendur si më e mundshmja për mbajtjen e tyre,  datë kjo e cila po përkon me deklaratën e Berishës se do ketë zgjedhje në fillim të qershorit.