Koalicioni aktual duhet t’i kryej detyrat që ka filluar

Aktuale April 21, 2017 - 19:52

Fundi i muajit qershor do të jetë përcaktues nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Këtë e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa për mediat, shkruan "Zeri.info".

Zgjidhja e çështjes së liberalizimit të vizave, respektivisht votimi ose jo i marrëveshjes së Demarkacionit më Malin e Zi, do të jetë shkaktari i zgjedhjeve të parakohshme.

Kryeministri ka thënë se nuk sheh ndonjë arsye që të vazhdohet tutje nëse nuk arrihet kjo zgjidhje.

Sipas tij, i gjithë procesi do të bëhet në bashkëpunim me partnerin e koalicionit PDK-në.

Ndërkaq, analistët politik në vend, mendojnë se nëse koalicioni qeverisës nuk mund t’u jap zgjidhje temave si të Demarkacionit dhe Asociacionit, nuk është etike që të qëndrojnë në pushtet. Sipas tyre, mbajtja e zgjedhjeve të reja do të bënte që të zgjidhet ngërçi aktual politik.

Analisti politik, Halil Matoshi mendon se ky koalicion qeverisës, nëse nuk mund t’u japë zgjidhje dy temave të interesit kombëtar si Demarkacionin dhe Asociacionin, sipas tij nuk është etike që të qëndrojnë tutje në pushtet.

“Realisht ky koalicion qeverisës, nëse nuk mund t'u japë zgjidhje dy temave të interesit madhor kombëtar  (Demarkacionit dhe Asociacionit) që e kanë dominuar diskursin politik për tre vjetët e këtij pushteti, nuk është etike që të qëndrojë tutje në pushtet, edhe pse Qeveria mund të mbahet edhe me 61 vota në Kuvend”, ka thënë Matoshi për Zëri.

Sipas tij, zgjedhjet demokratike janë i vetmi mekanizëm legal që mund t’i japin vendit konstelacion të favorshëm forcash politike, sa u përket vendimeve të vështira.

“Përse zgjidhet një Qeveri? Jo të tallet me qytetarët dhe t'i mashtrojë ata për popullizëm e vota, por që të marrë vendime të vështira, shpesh jopopullore, por në interes të sovranitetit dhe kushtetutshmërisë... Një gjë është e qartë, Qeveria që mund të dalë nga këto zgjedhje të parakohshme nuk do ta ketë më luksin e të kqyrunit seri, por do të jetë Qeveri e vendimeve të vështira, e cila, po ashtu mund të jetë humbëse e madhe dhe të mos e përfundojë mandatin kushtetues, katër vjeçar, sepse dinamikat politike të vendit dhe kontelacionet globale janë shumë të rrëshqitshme dhe përplot rreziqe. çfarëdo që ndodh, ruajtja e lirisë kombëtare dhe sovranitetit shtetëror duhet të jetë imperativ kategorik i secilës Qeveri dhe elitës politike”, tha Matoshi.

Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj mendon se shkuarja e vendit në zgjedhje të reja do të bënte që të që të zgjidhej ngërçi aktual politik.

Ai ka thënë për “Zërin”, se ndryshimet pozitive me zgjedhjet e reja në Kosovë varen nga qytetarët e vendit se kujt do t’ia japin besimin.

“Se a do të ketë ndryshime pozitive varet nga ajo se kujt do t’ia japin besimin qytetarët, kush me kë do të qeveris, cili do të jetë programi qeverisës dhe sa do të zbatohet ai”, tha Mushkolaj.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani ka thënë se “Zëri”, se koalicioni aktual duhet t’i përfundoj disa detyra që i kanë marrë. Tutja ka thënë se koalicioni duhet të përfundojë demarkacionin, forcat e armatosura dhe asociacionin.

“Ideja është që koalicion t’iu bënë presion deputeteve të koalicionit të votojnë demarkacion,pra duhet që ky koalicion t’i përfundojë disa detyra që i kanë marr,demarkacioni,forcat e armatosura ,asociacioni,pra ky koalicion duhet të arsyetohet me këtë mandat katërvjeçar,zgjedhje pa zgjidhje të këtyre temave  mund të mos ketë fare,edhe po te këtë do të ishte legjitimim për të vepruar njëjte ne te ardhmen apo i dështimeve për çka bëhen këto koalicione”, ka thënë Burjani.

Ndryshe, edhe opozita ka deklaruar se shumë shpejt do të ketë zgjedhje në vend./ZERI/.