Në mbledhjen e Komisionit për Stabilizim Asocim theksohet rëndësia e vazhdimit të dialogut

Aktuale April 21, 2017 - 16:49

Sesioni i dytë i punimeve të  mbledhjes së tretë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, ka vijuar edhe sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Takimi i sotëm është kryesuar nga Tonino Piculas kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian, ndërkaq, tema e parë për të cilën është diskutuar ishte: Mënyrat për të përmirësuar zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës.

Diskutuesja e parë ishte eurodeputetja Julie Word, e cila duke iu referuar kësaj teme, vlerësoi se Kosova duhet zhvilluar një ekonomi gjithëpërfshirëse. Në paraqitjen e saj, Word vuri theksin edhe tek pozita e gruas në aspektin ekonomik në Kosovë. Lidhur me këtë ajo vuri në pah numrin e madh të grave të paangazhuara në marrëdhënie pune.  Për të krijuar një gjendje më të favorshme ekonomike, ajo vlerësoi se duhet bërë përpjekje në avancimin e skemave mikrofinanciare dhe evitimin e ekonomisë së pabarabartë.

Në këtë temë u angazhua edhe deputetja Njomza Emini, e cila sqaroi përpjekjet e Qeverisë për rregullimin e infrastrukturës ligjore nga fusha e ekonomisë. Ne, tha ajo, kemi miratuar ligjet të cilat sigurojnë një avancim ekonomik, por, me gjithë  rritjen e shënuar, sqaroi ajo, 3% e qytetarëve vazhdojnë të jetojnë në varfëri ekstreme. Emini foli edhe për skemat sociale, ndërkaq bëri të ditur se infrastruktura ligjore është e harmonizuar me ligjet e BE-së.

Duke folur për zhvillimin ekonomik, dhe sfidat e vendit tonë në këtë fushë, deputeti Visar Ymeri, në mënyrë kronologjike pasqyroi shkaqet, për siç u shpreh ai, të katandisjes së ekonomisë së vendit tonë. Sipas tij, gjendja e rëndë ekonomike zë fill me pushtimin klasik të Kosovës nga ana e Serbisë, ndërkaq, privatizimi dhe keq menaxhimi i pas luftës ka krijuar një gjendje të papërballueshme ekonomike. Ai vlerësoi se tregu i lirë ka bërë që në vendet e pazhvilluara prodhimi të jetë edhe më i ulët dhe për përmirësimin e gjendjes vlerësoi se prodhimtaria vendore duhet të ketë qasje më të lehtë  në kapitalin valutor dhe në tregjet e jashtme.

Pas kësaj është folur për marrëdhëniet me Serbinë. Në kuadër të këtij debati është  përfshirë edhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja.

Duke iu referuar kësaj teme, deputeti i Parlamentit Evropian, Jasenko Selimoviq, fillimisht u shpreh kundër ndërprerjes së dialogut me Serbinë dhe vlerësoi se Kosova nëpërmjet tij mund të realizojë aspiratat e veta. Gjatë  fjalës së tij, Selimoviq u angazhua edhe për nevojën e pajtimit ndërmjet dy popujve dhe për këtë ai kujtoi shembullin e mirë të popujve që kanë kaluar nëpër të njëjtat përjetime.

Se dialogu duhet vazhduar u shpreh edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq. Ai vlerësoi se dialogu ka ndikuar në integrimin e pakicave në institucionet e vendit, por, duke kujtuar ngjarjet e disa muajve më parë, përkatësisht pas situatës së krijuar me nisjen e trenit nga Serbia dhe çështja e murit në veri të vendit, Rashiq u shpreh se duhet marrë masa për parandalimin e veprimeve impulsive.

Rashiq vlerësoi se në dialogun në Bruksel, në cilësinë e vëzhguesit  do duhej të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e komunitetit serb, sepse, sipas tij, marrëveshjet në vazhdimësi po keqinterpretohen.

Lidhur me këtë temë, në vijim fjalën e mori deputetja e Kuvendit të Kosovës Valdete Bajrami.  Sipas saj, mënyra e deritashme e zhvillimit të dialogut është e papranueshme, sepse, siç tha ajo, me këtë format bisedimesh është duke fituar vetëm Serbia. Po ashtu, ajo vlerësoi se bisedimet me Serbinë janë duke u zhvilluar në nivele të pabarabarta. Ne jemi për dialog, u shpreh bajrami, por duam që të trajtohemi të barabartë dhe vetëm në këtë mënyrë dialogu mund të shndërrohet në sukses.

Mënyra e dialogut me Serbinë u kritikua edhe nga deputeti Visar Ymeri. Dialogu me Serbinë, tha ai, është joparimor, i padrejtë dhe i pabarabartë. “Problemi pse nuk kemi marrëdhënie të mira me Serbinë, është vetë Serbia, sepse, ajo nuk po e njeh Republikën e Kosovës”, tha Ymeri.

Pas shterimit të kësaj teme, debati është zhvilluar lidhur me sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes për Kosovën dhe për Bashkimin Evropian.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës Time Kadrijaj, vlerësoi se situata tek ne është e brishtë dhe lehtësisht e cenueshme dhe sipas saj, kjo është për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Në vijim ajo vuri në pah një varg çështjesh të tjera që e cenojnë sigurinë në vendin tonë, duke përfshirë këtu edhe përpjekjet e vazhdueshme të  Serbisë për të ta destabilizuar vendin tonë.

Në vijim fjalën e mori deputeti Ismet Beqiri, njëherësh kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, i cili vlerësoi se sfidat e sigurisë së Kosovës janë të ngjashme me ato të të gjitha vendeve të BE-së. Më pas, deputeti Beqiri vuri në spikamë angazhimet e institucioneve të vendit në luftën e pa kompromis të të gjitha formave të krimit dhe për këtë u shpreh se sukseset e vendit tonë janë tashmë të prekshme dhe të vlerësuar edhe nga faktori ndërkombëtar. Për një sukses edhe më të madh, tha më tej Beqiri, Kosova duhet që të anëtarësohet në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë.

Për këtë çështje fjalën e mori më pas deputetja Luljeta Veselaj – Gutaj. Ajo tha se sfida më e madhe për vendin tonë, sikurse për vendet e tjera mbetet terrorizmi. Duke iu referuar të dhënave nga institucionet relevante të vendit tonë, Gutaj luftën kundër terrorizmit e vlerësoi të suksesshme, por, vlerësoi ajo, kjo do të ishte me bilance edhe më të favorshme sikur Kosova të ishte pjesë e mekanizmave ndërkombëtar të sigurisë.

Më pas fjalën e morën ministrat e kabinetit qeveritar: Skender Hyseni, ministër i brendshëm dhe Edita Tahiri, ministre për dialog.

Me këtë rast, ministri Hyseni foli për gjendjen e sigurisë, sfidat dhe sukseset në këtë fushë. Ai u fokusua në zbatimin e MSA-së dhe lidhur me këtë u shpreh se detyrimet nga MSA-ja për këtë ministri janë përmbushur pothuajse në plotni.

Ministrja Tahiri, ndërkaq, në pika të shkurta foli për dobitë që kanë  buruar nga  dialogu me Serbinë. Ajo vlerësoi me këtë rast se, Marrëveshja e MSA-së, shtrirja e sovranitetit në veri të vendit dhe integrimi  i strukturave paralele të Serbisë në institucionet e vendit janë rezultat i dialogut, për të cilin po ashtu vlerësoi se nëpërmjet tij Kosova mund të përmbush vizionin e saj të integrimeve euro-atlantike.

Pas shterimit të debatit dhe ekspozesë së ministrave Hyseni e Tahiri, komisionet e përbashkëta Parlamentare për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, mirartuan një deklaratë të përbashkët, nëpërmjet së cilës dalin detyrimet e ndërsjella deri në takimin e radhës.

Pas kësaj, bashkëkryesuesit e këtij takimi, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit si dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë dhe Tonino Picula përfaqësues i  delegacionit evropian, në një konferencë të përbashkët për media bënë të ditur përfundimin me sukses të punimeve të  sesionit të mbledhjes së tretë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë./Zeri/.