Çdo i dyti pacient merr një infeksion në intenzivën e QKUK-së

Aktuale April 21, 2017 - 15:21

Shkalla e infeksioneve brenda spitalore në Mjekimin Intenziv të QKUK-së është 45 përqind. Sipas kësaj statistike, gati çdo i dyti pacient merr një infeksion nga Spitali. Inspektorati Shëndetësor nuk është alarmuar asnjëherë për shkallën e lartë të këtyre infeksioneve

Çdo i dyti pacient që mjekohet në Intenzivën e QKUK-së merr një infeksion nga spitali. Ky është rezultati që kanë gjetur ekspertët që merren me mbikqyrjen e infeksioneve intra-hospitalore në QKUK.

Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka konfirmuar se shkalla e infeksioneve intra-hospitalore është më e lartë në Klinikën e Mjekimit Intenziv dhe në Klinikën e Neonatologjisë.

“Niveli i infeksioneve në mjekimin intenziv në vitin 2016 është 45 përqind, që është e njëjtë me vitin parapark i cili ka qenë 43 përqind”, ka thënë Fazliu për rtklive.com.

Ndërkohë në një raport të hartuar nga ekipi për kontrollë të infeskioneve që bënë mbikqëyrjen dhe monitorimin e infeksioneve në klinikat me rrezkishmëri të lartë, Klinika e Neonatologjisë në QKUK radhitet e dyta për nga shkalla e rrezikshmërisë. 12 përqind e fëmijëve të lindur para kohe e që trajtohen në atë klinikë, marrin nga një infeksion prej spitalit.

Me infeksione prinë Mjekimi Intenziv pasuar nga Neonatologjia

Por, derisa për kryeinspektoren e shëndetësisë Ardita Baraku, kjo shkallë e infeksioneve konsiderohet e lartë, në raportin e komisionit për mbikqyrje të infeksioneve thuhet se shkalla e infeksioneve në mjekimin intenzin ne vendet në zhvillim sillet diku rreth 66 përqind.

“Ndërsa në klinikat tjera është shumë më i ulët,në kirurgjinë plastike 6 përqind, ndërsa në klinikat tjera është shkalla shumë e ulët e infeksioneve nga 1.3 %  në kirurgjinë vaskulare e të gjitha tjerat janë nën 1 përqind”, thuhet në raport.

Zëdhënësi i QKUK-së Shpend Fazliu ka thënë se këto raporte ekipi ka filluar t’i marrë në vitet e fundit, sepse nuk ka pasur informta të sakta për shkallën e infeksioneve intrahospitalore.

“Kjo shkallë tregon që tani kemi raportimin e rregullt ditor të infeskoneve dhe kjo ka ndikuar që të dihen të dhënat e sakta”, shprehet ai.

Zëvendës ministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, në anën tjetër i kontraktuar nga rtklive në lidhje me këtë çështje ka thënë se këtë vit ekipi për kontroll të infeksione së bashku me Komitetin Kosovar për kontroll të infeksioneve do të mbaj ligjerata për parandalimin e infeksioneve intrahsopitalore.

Ligjëratat, sipas tij, do të mbahen në të gjitha spitalet regjionale në Kosovë, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së punëtorëve shëndetësor për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve.

Sadiku ka thënë se trajnim bazik sivjet do t’iu bëhet edhe punëtorëve të kompanisë që është kontraktuar për mirëmbajen e higjienës në QKUK.

Pacienti është ankuar për infeksionin që ka marrë në Klinikën e Ortopedisë

Zëvendës ministri Sadiku, i pyetur se cila është masa matëse e infeksioneve, Sadiku ka thënë se shkalla e infeksioneve matet me numrin e rasteve që vijnë në klinikë dhe rezultojnë negative në strisho në momentin e hospitalizimit. Mirëpo, të njejtit, më vonë rezultojnë pozitiv në infeksione të ndryshme.

Ai ka thënë se një masë për ulje të shkallës së infeksioneve është edhe hapja e laboratorit mikrobiologjik, që sipas Sadikut, pritet të funksionalizohet shumë shpejt. “Aktualisht jemi në fazën e blerjes së pajisjeve”, ka thënë Sadiku.

Rtklive.com ka mësuar se një pacient së fundi është ankuar në Inspektoratin Shëndetësor se gjatë mjekimit në Klinikën e Ortopedisë në QKUK ka marrë një infeksion.

Pa dashur të përmend detaje në lidhje me Klinikën dhe ‘burimin e infeksionit’, kryeinspektorja e shëndetësisë Ardita Baraku, ka thënë se kanë pranuar një ankesë nga një pacient.

Ajo ka thënë se bazuar në udhëzimin administrativ për mbrojtje nga infeksionet, Inspektorati Shëndetësor nuk ka ndonjë kompetencë për të reaguar.

Por, ajo thotë se sipas këtij udhëzimi, në situata alarmante, Komisioni e njofton Inspektoratin Shëndetësor.

E pyetur nëse është alarmuar ndonjëherë inspektorati për gjendjen në Mjekimin Intenziv, ajo ka thënë se nuk kanë marrë asnjëherë ndonjë raport prej komisionit për mbikqyrjen e infeksioneve. Ajo ka vlerësuar se shkalla e infeksioneve prej 45 përqind në Intenzivën e QKUK-së, është mjaft e lartë.