Albin Kurti 'godet' Shpend Ahmetin
Albin Kurti, deputet i lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin e Kosovës, ka akuzuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës biznesmenët pejanë, Blerim e Shkëlqim Devolli, ndonëse kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, para pak javësh ishte gjendur në jahtin privat të biznesmenit Blerim Devolli në Budvë, të Malit të Zi.
Deputeti Kurti ka folur në Parlament për monopolin ekonomik, të cilin e ka krijuar në vend korporata e “Devollëve”, e vëllezërve Shkëlqim dhe Blerim Devolli, shkruan "Zëri".
Kurti i ka goditur ashpër ata, pavarësisht se njerëzit e partisë së tij janë miq me drejtuesit e kësaj kompanie.
Ish-kreu i LVV-së ka krahasuar pasurinë e vëllezërve Devolli me Bill Gates dhe Stive Jobs.
“Në Kosovë biznesmenët e kanë kaluar me pasuri edhe Bill Gates dhe Stive Jobs”, tha Kurti, duke iu referuar tutje me emra biznesmenëve Shkëlqim e Blerim Devolli.
“Devollët kanë krijuar monopol në shumë fusha. Ata po i shkatërrojnë fushat tona bujqësore dhe bujqit tanë s’kanë më leverdi të mbjellin për shkak të importit të grurit për ushqimin e kafshëve prej rezervave shtetërore të Serbisë e të cilat Devollët po ia sjellin jo vetëm Kosovës, por po ia çojnë edhe Shqipërisë”, tha ndër të tjera deputeti i LVV-së, Albin Kurti.
Sipas tij, autostradën e kombit Devollët e kanë bërë autostradë të krundeve dhe rezervave serbe për konsumatorët shqiptarë.
“Për të qenë edhe më keq se kaq, gruri pa proteina dëmton rëndë shëndetin e fëmijëve dhe përbën kequshqyerje që shkakton prapambetje në rritje”, shtoi ai. Sipas tij, terminalet doganore janë dorëzim i pastër i shtetit.
“Kur privatizohen doganat, privatizohen edhe doganierët, shumë prej të cilëve tash më shumë punojnë për Devollët e Ramiz Kelmendin e Margarita Kadriun sesa për Republikën tonë. Të gjithë fermerët janë në mëshirën e fabrikave të qumështit. Ato ua matin sasinë, cilësinë, çmimin dhe kur të duan nuk ua pranojnë fare qumështin. Nëse blegtori përpiqet që mandej qumështin e mbetur t’ia ofrojë ndonjë fabrike tjetër, ato nuk e pranojnë, për shkak se ata kanë kontratë me konkurrencën e tyre. Devollët janë më të egrit në këtë pikëpamje. Ata e kanë luksin të mos e marrin qumështin e blegtorëve vendës sepse përdorin qumësht pluhur kurdo që të kenë nevojë”, ka thënë Kurti. /ZËRI/