Myftiu dhe imamët e Shkodrës thirrje zyrtare pro Erdoganit

Aktuale April 15, 2017 - 17:19

Turqia prej disa kohësh po përgatitet për zgjedhjet më të ethshme të historisë së saj si republikë gati 100 vjeçare, ku me dt. 16 prill, këtë të dielë do të zhvillojë referendumin për ndryshimin e regjimit dhe kalimin e të gjitha pushteteve në duart e një personi të vetëm.

Tashmë prej disa muajsh janë arrestuar mbi 40.000 persona, gra dhe burra, deputetë të opozitës, akademikë, mësues, mjekë, gazetarë, shkrimtarë dhe intelektualë, të cilët mbahen në burg pa gjyq, si dhe janë shkarkuar gjithashtu mbi 120.000 zyrtarë nga të gjitha instancat shtetërore.

Tani është e qartë nga e gjithë bota e qytetëruar se Turqia e Erdoganit po shkon drejt një diktature, që do t’i kushtojë shumë vendit, i cili tashmë krahas krizës politike ka hyrë edhe në një krizë ekonomike, sociale dhe kombëtare.

Por megjithatë Erdogani dhe politikat e tij, ashtu si edhe në Turqi, po përdor fenë dhe ndjenjat fetare të myslimanëve të Ballkanit, për të ndikuar në politikën e tij për protagonizëm jashtë vendit të vet. Duke qenë se të vetmet vende, ku mund të ndikojë me popullsinë autoktone mbetet Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja dhe Mali i Zi, për të cilat flitet për infiltrime dhe influenca në bashkësitë islame të këtyre vendeve, para të mëdha po investohen në disa individë zyrtarë në këto bashkësi.

Kështu pas letrës skandaloze të kryetarit të Bashkësisë Islame të MaqedonisëSulejman Rexhepi drejtuar Erdoganit, një tjetër thirrje vjen nga Shkodra, nga imamët dhe myftiu i këtij qyteti Muhamed Sytari, postuar në faqen zyrtare të kësaj myftinie.

Në këtë postim ndër të tjera thuhet:

Myftiu: “Të lutemi për mbarësinë dhe suksesin e referendumit të 16 prillit në Turqi!”

Ditën e shtunë, më 15 prill 2017, gjatë një takimi pune me imamë të Shkodrës, Myftiu Imam Muhamed B. Sytari, është ndalur edhe tek një çështje që shihet sot, me shumë vëmendje, ajo e referendumit të datës 16 prill 2017 në Turqi.

Ndër të tjera, Myftiu tha: “Lutemi me zemër, që votimi i ditës së dielë, më 16 prill 2017 në Republikën e Turqisë, që konsiderohet si fillimi i një ndryshim historik për Turqinë e Presidentit Rexhep Erdogan, të shkojë mbarë e mirë dhe me sukses të plotë, në rrugën e konsolidimit të mëtejshëm të pozitave të shtetit…”

Myftiu Sytari i njohur për thirrjet e tij radikale dhe i shkolluar në Siri, prej disa kohësh ka shqetësuar opinion publik me thirrjet e tij antikatolike edhe pse është nip katolikësh, thirrjet e tij pro mësueses, që mbrojti ISIS-in në medresenë e Shkodrës pak muaj më parë dhe daljet e tij kundër shtetit shqiptar.

MeSgjithë këto skandale, duket që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Komiteti Shtetëror për Kultet, akoma nuk duken të shqetësuar për thirrje të tilla politike për një shtet të huaj në një vend sovran si Shqipëria. Pritet në ditët në vijim nëse do të ketë ndonjë masë nga KMSH, pas ndonjë letre nga Kultet, si në rastin e skandalit të imamit Kalaja, apo këtë radhë do kujtohet më herët, të paktën ditën e martë, se të hënën e kanë pushim për shkak të Pashkëve.