Meta-McCain, në fokus Shqipëria, rajoni dhe siguria

Aktuale April 14, 2017 - 18:45

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti këtë të premte në një takim kryetarin e Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin Amerikan, Senatorin John McCain.

Gjatë takimit, Meta dhe McCain biseduan mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, situatën politike në vend si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.

Duke u ndalur tek situata në Shqipëri, Meta ka nënvizuar se, klasa politike ka për detyrë të tregohet më e përgjegjshme për të krijuar klimën e duhur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, sipas standardeve më të larta bashkëkohore.

Ndër të tjera, Meta dhe McCain ndanë bindjen se Shtetet e Bashkuara duhet ta rrisin vëmendjen e tyre në Evropën jug-lindore dhe shprehën besimin e plotë se Shqipëria do të kontribuojë pozitivisht në avancimin e axhendës Euro-Atlantike në rajon.

Bashkëbiseduesit vlerësuan nevojën që Shqipëria të rrisë kontributin e saj buxhetor në fushën e mbrojtjes, duke nënvizuar se një gjë e tillë ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në rajon, shkruan Top Channel.