KMDLNJ kërkon hetim për vdekjen e Naser Makollit

Aktuale April 04, 2017 - 12:45

Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar për vdekjen e të paraburgosurit Naser Makolli, i cili ka ndërruar jetë në rrethana ende të pasqaruara.

“I paraburgosuri Naser Makolli me datë 07.11.2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ishte intervistuar nga KMDLNj për “rastin Dehari” pasi që i fundit ishte ndarë nga i njeri Dehari dhe i pari e kishte parë të shtrirë në dyshemen e dhomës së Q.P në Prizren aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-s.

“Pas transferimit në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, Naser Makolli ishte vizituar nga KMDLNj por, në asnjë rast nuk ishte deklaruar se ka probleme shëndetësore pas së cilave KMDLNj do të kërkonte trajtimin e tij shëndetësor nga Shërimi Shëndetësor i Burgjeve”.

“Vdekja e të paraburgosurit Naser Makolli për KMDLNj-në paraqet shqetësim të madh prandaj kërkon hetime të shpejta dhe profesionale pas së cilave do të përcaktohej përgjegjësia e mundshme”.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve ka përgjegjësi morale, materiale dhe ligjore për sigurimin e jetës së personave të privuar nga liria dhe trajtimin e tyre në përputhje me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe standardeve ndërkombëtare”.

“KMDLNj kërkon nga Shërbimi Korrektues i Kosovës të jetë më transparent në reagime dhe të mos vonohet sikur në rastin e Naser Makollit”.