Opozita: Shteti nuk funksionon, zgjedhjet të pashmangshme

Aktuale March 30, 2017 - 21:41

 

Mytaher Haskuka, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, në Zona e Debatit të Klan Kosovës, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje parlamentare, për shkak se institucionet nuk janë funksionale.

Ai ka deklaruar se koalicioni qeverisës nuk ka përmbushur premtimet e bëra ndaj qytetarit, por është marrë me krejt tjera, njofton Klan Kosova.

“Zgjedhjet duhet të mbahen sa më herët sepse qeveria nuk ka elanin e punës dhe nuk ka mbështetje në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, cështjet që janë sjellë në kuvend janë krejt tjera nga ato që i janë premtuar qytetarit. Ata duhet të jenë të përgjegjshëm para qytetarit. Për shkak të mospërgjegjësisë së tyre kuvendi është gati jofunksional”.

Me Haskukuën është pajtuar edhe Rexhep Kadriu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në Zona e Debatit të Klan Kosovës, ka thënë se keqqeverisja e koalicionit PDK-LDK i ka bërë të pashmangshme zgjedhjet.

“Ne kemi thënë nga fillimi që demarkacioni nuk mund të kalojë në këtë formë. Si opozitë e bashkuar kemi pasur mbështetje të fuqishme në këtë cështje. Dhe megjithëse është tentuar që të kontrabandohet në kuvend, nuk ka kaluar. Megjithëse është paralajmëruar si qeverisje e elefantëve, ajo nuk doli ashtu”.

“Edhe qytetari i Kosovës dëshiron zgjedhje. Nuk mund të ecet me këtë qeveri, me këtë parlament. Ne si vend mund të vendosim për zgjedhje, kështu që edhe nëse amerikanët thonë ndryshe, ne mund t’i mbajmë zgjedhjet”. /klankosova.tv