Shpend Ahmeti flet për jahtën

Aktuale March 30, 2017 - 20:53

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka pranuar ekskluzivisht për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ se ka qëndruar në jahtë në Budvë fundjavën e kaluar ndonëse thotë se nuk e ka ditur që mjeti ka qenë i Blerim Devollit të kompanisë “Devolli”.

Ahmeti deklaroi se ka qenë i ftuar për të hipur në jahtë së bashku me bashkëshorten e tij dhe ka qenë një pushim i thjeshtë.

“Aty ka pasur grupe të ndryshme dhe kam takuar gjatë ditës plot njerëz tjerë dhe pasi kam hangër darkë kam shku atje se aty janë të parkuara dhe unë kam hy me gruan time dhe brenda 5 minutave lajmi ka dalë në portal. Kur më kanë ftuar unë nuk kam pyet e kujt është kjo jahtë prej kujt e kanë ble, jam hypë një pije me e pi me njerëz sepse nuk muj me ja kthy qoftë edhe Devollit”, tha Ahmeti.

Ahmeti: Kjo është e vërteta e Jahtit!

Ahmeti përballë Jeta Xharrës tregoi detaje edhe për sa kohë ka qëndruar dhe çfarë ka pirë në jahtën me qerasje të Blerim Devollit, biznesmen kosovar.

“Kam pirë koka- kollë zero. Aty ka qenë edhe Blerim Devolli që erdhi mandej”, tregoi Ahmeti.

Ai vlerësoi se i tërë raportimi mbi fotografinë e tij në këtë jahtë në Mal të Zi është “sulm” ndaj tij në prag të zgjedhjeve të reja komunale.

“Ka arsye të ndryshme pse ka ndodhur ky sulm, sulmet nga portalet që mendoj se janë të lidhura ngushtë me qeverinë dhe njerëz të caktuar por megjithatë unë jam i gëzuar sepse mua qytetarët më mbajnë në një standard të llogaridhënies. Nuk jam person as që e ndjeki luksin e as që shpenzoj në para të popullit por një fotografi e kanë kthyer si sulm ndaj meje”, tha Ahmeti

Kjo është intervista e parë e Ahmetit që nga fundjava e kaluar kur portali GazetaMetro publikoi një fotografi me të cilën pretendohet se ai ka qëndruar në një jahtë në qytetin bregdetar malazez të Budvës.

Vetë Ahmeti, më herët në disa postime që ka bërë në Facebook, nuk ka folur për çështjen e jahtës dhe i kujt është ky mjet, por akuzat ndaj tij i ka lidhur me faktin se ky është vit gjatë të cilit do të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunës.

As Lëvizja Vetëvendosje, parti nga e cila vjen Ahmeti, nuk ka pranuar të komentojë për akuzat ndaj kryetarit të kryeqytetit.