KKSH – thërret shqiptaret për bojkot të zgjedhjeve presidenciale

Aktuale March 30, 2017 - 17:55

Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe kryetari i këtij institucioni të lart politik të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu, fton shqiptaret për bojkot të zgjedhjeve presidenciale në Serbi.

Në një kumtesë të bërë publike për opinion, bëhet e ditur se KKSH dhe lideri nacional i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, z. Musliu, janë kategorik për mospërkrahje të këtyre zgjedhjeve, të cilat sipas tij “nuk janë të rëndësishme për shqiptarët, madje nuk kanë as kuptim dhe për më tepër nuk ndikojnë në përmirësimin e statusi politik të shqiptarëve, të cilët në mënyrë drastike diskriminohet nga pushteti qendror i Beogradit”.

Kandidatët e mundshëm për president Serbia, nuk kanë shfaqur aspak interesim për votën shqiptare, duke e injoruar, përbuzur dhe nënçmuar në mënyrë perfide e kjo më së miri tregon se gjatë fushatës zgjedhor asnjëri prej tyre nuk ka ardhur në Luginë të Preshevës, të shpalos programin se çfarë planesh kanë në të ardhmen për zgjidhjen e problemeve të shumta të shqiptarëve në shtetin e Serbisë.

Gjithashtu, në kudër të Kumtesës së KKSH-së, bëhet i qartë qëndrimi i këtij institucioni, që ka për zgjedhjet presidenciale, të cilat nuk kanë ndikuar aspak për motivimin e shqiptarëve për ta kryer obligimin e tyre qytetar, në shtetin ku ata për ditë përndiqen, arrestohet, si dhe u mohohet e drejta për simbolet kombëtare, u shkelet e drejta për arsimim të lartë, barazi të dygjuhësisë, shkurt, u cenohet identiteti kombëtar, duke u shlyer nga evidence e gjendjes civile, thjesht, rrezikohen nga asimilimi dhe shpërnguljet në heshtje.

Duke i pasur të gjitha këto parasysh, KKSH dhe lideri i këtij institucioni, Jonuz Musliu, nuk e kanë vështirë të marrin një qëndrim të prerë për bojkot të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë, duke i injoruar ato, sikur të mos ndodhin fare, më 2 prill 2017, thuhet në kumtesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar, të nënshkruar nga kryetari i tij z. Jonuz Musliu.