Adriatik Kelmendi godet rëndë Shpend Ahmetin, e quan gënjeshtar

Aktuale March 29, 2017 - 19:00

Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar lidhur me aferën e Shpend Ahmetit me jahtë. Kelmendi nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka thënë se Ahmeti nuk është treguar korrekt me sqarimet që ka dhënë për këtë çështje. Madje, ai ka thënë se i pari i Prishtinës ka gënjyer. “...idhull i shumë të rinjve, i shkolluar në Harvard, i papërfshirë deri më tash në afera korruptive – në vend se ta shfrytëzonte rastin për të thyer një perceptim të ndyrë shoqëror – zgjedh të dorëzohet. Fatkeqësisht, Shpend Ahmeti zgjedh – gënjeshtrën”, ka shkruar Kelmendi.

Ky është reagimi i plotë i Kelmendit:

NGA NJË POLITIKAN normal nga një shtet normal e tëra do të mund të përmbyllej me një sqarim simpatik, të thjeshtë e të sinqertë: “Po, kam qenë në pushime vikendi me familje në Budva. Gjatë shëtisë më thirri i njohuri im për ta pirë nga një kafe në jahtin e tij.  Natyrisht se pranova.

M’u bë zemra mal kur pashë se një shqiptar i Kosovës, njëri ndër prodhuesit dhe tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit, ka të ankoruar jahtin e tij në një qytet ku vetëm pak vite më parë ka qenë gati e paparamendueshme që të shëtisnin shqiptarët e lëre më tjetër. Uroj që ne politikanët të ndihmojmë që sa më shumë kosovarë të përparojnë e – pse jo – të kenë mundësi edhe për jahte”. Kaq. Mirëpo, në një shtet jonormal dhe me sistem vlerash të çoroditura, edhe një politikan model i brezit të ri, idhull i shumë të rinjve, i shkolluar në Harvard, i papërfshirë deri më tash në afera korruptive – në vend se ta shfrytëzonte rastin për të thyer një perceptim të ndyrë shoqëror – zgjedh të dorëzohet. Fatkeqësisht, Shpend Ahmeti zgjedh – gënjeshtrën.

E mohon qëndrimin në jaht. Duke na ofenduar inteligjencën. Fare naivisht. Fare pa nevojë. Atij, më shumë se kujtdo tjetër, do t’i takonte ta ndërronte paradigmën. Mjerisht, dështoi të dëshmojë dinjitetshëm se, megjithatë, nuk është domosdoshmërisht diçka e ligë nëse një politikan i suksesshëm shoqërohet me një biznesmen të suksesshëm dhe kështu ndikoi pa nevojë në dëmtimin edhe të vetvetes e edhe botës së biznesit.

Nuk ka pse gjithmonë të pandehet se nëse një shoqërim i këtillë gjithsesi do të ketë diçka korruptive në mes. Të tregojë se është koha të thyhen paragjykimet e padrejta, e në këtë rast sidomos paragjykimi krejt i panevojshëm negativ i biznesit. Dëshpërimi nuk është se Shpendi u pa në jaht me biznesmenë, dëshpërimi është se pse Shpendi ndjeu nevojën ta fshehë këtë.

Dhe kjo të bën të mendosh se e padrejtë është Kosova përgjithësisht ndaj njerëzve, të cilët, mes tjerash, sigurojnë rreth 80 për qind të punësimit në vend dhe mbushin buxhetin e republikës. Shpendi ende e ka shansin. Episodin e jahtit, me gabimet e tij fillestare, ende mund ta kthejë në frymë për ndryshim pozitiv. Si leksion për të gjithë. Nëse çifti i politikanit me imazhin e të pakorruptuarit dhe më të guximshmit nuk do të angazhohet ta bëjë këtë, kush mund ta bëjë tjetër?