Dikur kundërshtar, por tash Lladrovi i ofron pozitë të lartë Xhavit Drenorit

Aktuale March 29, 2017 - 18:05

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i ka propozuar postin e Drejtorit të Urbanizmit, asamblistit Xhavit Drenori i cili në zgjedhjet e fundit e kishte kundërkandidat.

Këtë për Indeksonline e ka konfirmuar vet Drenori duke thënë se ky është vetëm një propozim dhe se do e diskutojë nëse do e pranojë apo jo.

Duke folur për këtë propozim, ai tregon se në fillim kishte menduar se Lladrovci ishte duke bërë shaka, por më vonë e ka kuptuar se ai e kishte seriozisht.

“Sot mbajtëm mbledhjen e Kuvendit, ku diskutuam rreth raportit të vitit të kaluar. Unë isha aty që paraqita vërejtje të mëdha rreth drejtorisë së Arsimit dhe të Urbanizmit, pasi kisha vërejtur defekte të mëdha. Vërehej se kryetari ka filluar t’i bëj disa ndryshime dhe në këtë aspekt ai më tha që po të ofrojë drejtorinë e urbanizmit dhe unë e mora si në formë të humorit sepse s’ka pasur kurrfarë bisede në formë më të gjatë. Unë i thash që jam në gjendje të të ndihmojë. Megjithatë nuk ka marrëveshje konkrete rreth kësaj pune, por thjesht janë muhabete dhe llafe të shpejta, por mua mu duk interesant se drejtori i tanishëm i Urbanizmit sikur ofroi dorëheqje. Thjesht u bën hapat, pra u hapën rrugët për këtë diskutim. Unë i kërkova kryetarit që nesër të ulemi të diskutojmë për këtë çështje, jo sot”, tha Drenori për Indeksonline.

I pyetur se si e priti këtë propozim dhe pse do e pranonte një gjë të tillë, Drenori tha se ai do i hynte kësaj pune vetëm që të ç’kap këtë drejtori nga grupet kriminale.

“Është vetëm një fakt që mua më shtyn t’i hyjë kësaj aventure sepse është afat i shkurtër, që të ç’kap këtë drejtori prej grupeve kriminale qoftë me leje drejtimore, apo në çështje tjera. Janë këto argumente që do t’i diskutojë sot me ekipin time dhe do të ulemi nesër t’i negociojmë me kryetarin. Përndryshe nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim dhe nuk e kemi në plan të ngutemi”, ka shtuar ai.