Intervistohet nga Krimet Ekonomike sekretari i UP-së Esat Kelmendi

Aktuale March 29, 2017 - 17:30

Sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Esat Kelmendi është marrë në pyetje sot nga Njësia e Krimeve Ekonomike në kuadër të Policisë së Kosovës. Gazeta ka mësuar se Kelmendi është intervistuar për rastin e asistentes së Fakultetit të Mjekësisë Rozafa Koliqi, e cila është larguar nga UP-ja ndonëse kishte plotësuar kushtet me statut dhe kriteret e konkursit për pranimin e stafit akademik 2015, raporton Zëri.info.

Burime të gazetës kanë bërë të ditur se më 15 mars është marrë në pyetje nga Njësia e Krimeve Ekonomike edhe rektori Marjan Dema. Hetimet kanë nisur pas raportimit të “Zërit” për rastin Koliqi. Gazeta ka provuar të marrë përgjigje dhe nga Rektorati i UP-së për këto hetime, por nuk ka marrë përgjigje zyrtare ndonëse një ditë më parë ka drejtuar pyetjet në formë të shkruar në Rektorat.

LEXO EDHE: Dallaveret e Rektoratit me pranimin e asistentëve në UP

Rozafa Koliqi, specialiste e vetme në Kosovë për farmaci klinike, nuk është zgjedhur asistente në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pavarësisht se recensioni i ishte vlerësuar pozitivisht, kishte vendimin pozitiv dhe votat unanime të Këshillit të Fakultetit. Koliqi, e cila ka doktoruar në Universitetin e Shkupit “Kirili dhe Metodi”, ka konkurruar për t’u zgjedhur asistente në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi, pasi nuk është pranuar asistente e rregullt është detyruar të largohet nga UP-ja.

Ndërsa në vend të saj si asistent për Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi është pranuar një specializant. Në rastin e Rozafës është shkelur me “dy këmbë” Statuti i UP-së, bashkë me konkursin e shpallur nga ky Universitet në vitin 2015, kur ajo ka konkurruar. /Zëri/