Senati i Spanjës refuzon njohjen e Kosovës

Aktuale March 28, 2017 - 19:06

Senati i Spanjës ka refuzuar sot një mocion të partisë së Majtë Republikane të Katalunisë (ERC) e cila i bëri thirrje qeverisë që të njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe ta mbështesë atë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB)

Partia kataluanse ka thënë se ata duan ta shohin një paralelizëm të Kosovës me atë çfarë mund të ndodhë edhe në Spanjë, raporton agjencia e lajmeve EFE.

Ky mocion për njohjen e Kosovës megjithatë është hedhur poshtë në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit spanjoll, me votat e Partisë Popullore të Spanjës dhe Partisë Socialiste të Punëtorëve të Spanjës.

Senatori Jordi Martí nga radhët e partisë katalunase ERC ka qenë i zhurmshëm në mbrojtje të iniciativës për miratimin e këtij projektligji, i cili parashihte edhe njohjen e pasaportave të Kosovës, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës tu lejohej futja në Spanjë, në rast të liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.

Ai bëri thirrje gjithashtu për mbështetjen e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe për anëtarësimin e Kosovës në këtë organ, njofton Insajderi.

Marti kujtoi para Senatit të Spanjës se vetëm pesë vende të BE-së – Qiproja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Spanja – nuk e njohin Kosovën dhe se Parlamenti Evropian së fundmi ka miratuar një projektrezolutë për njohjen e Kosovës me 403 vota pro dhe 103 kundër.

“Kjo kërkesë nga BE-ja rrit presionin mbi shtetin spanjoll dhe gjithashtu presionin mbi gatishmërinë e saj për të ndihmuar në normalizimin dhe stabilizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shtoi Marti.

Senatori ERC ka theksuar se “problemi i Spanjës që nuk e njeh Kosovën, është se disa ‘fantazma’ janë të ngazëllyera dhe se nuk duan të shohin një paralelizëm me Kosovën, me atë cfarë mund të ndodhë në Spanjë”. Ai fliste në lidhje me Kataloninë, raporton EFE.

Alfonso Jesús Rodríguez, senator nga radhët e Partisë Popullore të Spanjës, ka mbrojtur refuzimin e grupit të tij ndaj mocionit të ERC-së për njohjen e Kosovës, ku thuhet: “Qeveria e Spanjës nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, sepse Spanja nuk beson në deklaratat e njëanshme të pavarësisë”.

Rodriguez e bëri të qartë se “asgjë nuk ka të bëjë me gjendjen e Ballkanit dhe me realitetin e Spanjës”. /Insajderi.com