Deputetët e liberalizuar, qytetarët e izoluar!

Aktuale March 28, 2017 - 08:18

Kampione sa i përket “dyshtetësisë” në mesin e subjekteve politike është Lëvizja “Vetëvendosje”. Përveç liderit të tyre, Visar Ymerit, janë edhe tre deputetet të tjerë të cilët kanë shtetësi tjetër përveç asaj kosovare. Edhe në mesin e LDK-së ka deputetë që nuk janë vetëm “kosovarë”

Derisa qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të mbesin të izoluar për shkak të proceseve të papërfunduara politike nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, këta të fundit nuk ballafaqohen me një problem të tillë. Madje, shumë prej tyre nuk u duhen as vizat për të udhëtuar jashtë vendit. Kjo pasi që ata përveç shtetësisë së Kosovës janë të pajisur edhe me një shtetësi të dytë. Kampione sa i përket “dyshtetësisë” në mesin e partive është Lëvizja “Vetëvendosje”. Përveç liderit të tyre, Visar Ymerit, janë edhe tre deputetet të tjerë të cilët kanë shtetësi tjetër përveç asaj kosovare.

E edhe në mesin e LDK-së ka deputetë që nuk janë vetëm “kosovarë”. Ndërkohë në PDK dhe në “Nismën për Kosovën kanë konfirmuar se nuk kanë deputet me nga dy shtetësi. Megjithatë, dyshtetësia nuk po llogaritet si problem nga analistët politikë dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas tyre është “dyfytyrësia” dhe “ngathtësia” e tyre politike e cila po vazhdon t’i mbajë të izoluar qytetarët e Kosovës. E me këtë dëm i madh po i bëhet edhe vendit.

 Topalli: Pavarësisht dyshtetësisë, jemi flamurtar për vizat

Lëvizja “Vetëvendosje” është kampione e deputetëve me dyshtetësi. Përveç kreut të tyre, Visar Ymerit, janë edhe deputetët Albin Kurti e Glauk Konjufca që kanë nënshtetësi të Shqipërisë. Shtetësinë e Shqipërisë, me dekret të presidentit Bujar Nishani, e ka marrë edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ndërkaq, Faton Topalli mban edhe nënshtetësinë e Kosovës edhe atë të Zvicrës. Pikërisht ky i fundit në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se përkundër faktit që në mesin e Lëvizjes “Vetëvendosje” ka shumë deputetë me shtetësi të dyfishtë, ata janë kampionë në procesin e liberalizimit të vizave. “Nuk mund të thuhet se ne po angazhohemi pak në këto çështje, përkundrazi, pavarësisht dyshtetësisë së disa deputetëve, jemi flamurtarë. Pra po bëjmë angazhimin maksimal. Nëse ka në Kosovë ndonjë subjekt i cili është angazhuar maksimalisht për krijimin e kushteve për liberalizimin e vizave, atëherë ky subjekt është Lëvizja ‘Vetëvendosje’”, ka thënë Topllai.

Sipas tij, liberalizimi i vizave është një çështje për të cilën janë shumë të interesuar në Lëvizjen “Vetëvendosje” që të zgjidhet shpejt. “Angazhimi ynë kundër korrupsionit, kundër kapjes së shtetit, për ndarjen përmbajtjesore të pushteteve si  ekzekutivit dhe legjislativi, rritjen e mirëqenies qytetare, funksionimin e shtetit ligjor, janë çështje të cilat kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe janë kushte kryesore të shtruara nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ai. Madje ai ka shtuar se të gjithë ata që pretendojnë se kjo lëvizje nuk po angazhohet për liberalizimin e vizave, janë zakonisht nga tabori qeveritar. “Ata përpiqen që dështimet e tyre t’i fshehin prapa ‘Zajednicës’ dhe Demarkacionit. Për ‘Zajednicën’ kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kjo nuk është më çështje e Kuvendit. Për Demarkacionin Qeveria ka pasur mundësi ta ratifikojë deri tani 100 herë, sepse ka shumicën parlamentare”, ka thënë Topalli, duke shtuar se ashtu si e miratoi buxhetin e vitit 2016, mes gazit lotsjellës, ka pasur mundësi ta ratifikojë edhe Demarkacionin.

Megjithëkëtë, ai fajin e ka hedhur diku tjetër. Sipas tij, është Qeveria e Kosovës ajo e cila ka bllokuar këtë proces. “E vërteta është që ajo nuk e ka as mbështetjen e deputetëve të vet e as të qytetarëve. Pra, për dështimet e veta ajo mund ta akuzojë opozitën, por fajtore është vetë. Pra përgjegjësja kryesore edhe për çështjen e vizave”, ka thënë ai. Topalli ka thënë se që qytetarët që kanë logjikë të shëndoshë din ta dallojnë përgjegjësinë për dështimet politike në vend. Sipas Topallit, Bashkimi Evropian do ta mundësojë heqjen e vizave në çastin kur do të jetë i sigurt se 2/3  e qytetarëve të Kosovës për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, mosfunksionimit të shtetit ligjor (440 000 dosje të pazgjidhura në gjykata), mosfunksionimit të shëndetësisë, varfërisë së lartë, korrupsionit, nepotizmit, nuk do t’ia mësyjnë Bashkimit Evropian për të kërkuar azil. “E për të gjitha këto nuk ka faj opozita, nuk ka faj Lëvizja ‘Vetëvendosje’, e më së paku unë me dy shtetësi”, ka përfunduar ai.

Shtetas i Shqipërisë është edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi. Ai madje vite më parë kishte bërë publike votën e tij në rrjetin social “Facebook” për Partinë Demokratike të Shqipërisë.

 Spahiu: Jo dyshtetësia, por dyfytyrësia e ka izoluar Kosovën

Njohësi i çështjeve politike dhe mbrojtësi i idesë së kombit kosovar, Nexhmedin Spahiu, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se nuk është problem dyshtetësia e deputetëve aq sa, siç ka thënë ai, dyfytyrësia e tyre. “Nuk mendoj se ka ndonjë të keqe nga dyshtetësia. E keqja vjen nga qëndrimi dyfytyrësh të cilin shumë deputetë e kanë karshi shtetit të Kosovës. Kur edhe betohesh para flamurit të Kosovës edhe e poshtëron atë. Kur edhe betohesh në Kushtetutë të Kosovës edhe e shanë Ahtisarin”, ka thënë Spahiu. Sipas tij, është pikërisht klasa e korruptuar politike e cila po mban pengë qytetarët e Kosovës. “Deputetët edhe ashtu mund të marrin viza afatgjate dhe nuk është kjo arsyeja pse po zvarrisin plotësimin e kushteve. Por është pikërisht korrupsioni që ka kapluar këtë klasë politike e cila ka izoluar Kosovën dhe po e mbanë të tillë”, ka thënë Spahiu.

 Deputetët po vonohen

Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, në një prononcim dhënë “Zërit” ka thënë se pasja e nënshtetësisë së dyfishtë nga disa deputetë kosovarë nuk është “konflikt interesi”. Sipas tij, ky është një problem më shumë politik. “Jo, unë mendoj se është ndeshje e koncepteve politike, sepse pavarësisht nëse kanë shtetësi apo jo, për deputetët dhe autoritetet tjera publike nuk është problematike çështja e vizave”, ka thënë Hoti, duke shtuar. “Nuk është çështja nëse kanë shtetësi apo jo, mirëpo për t’i qëruar hesapet në kontekstin politik, të dyja blloqet janë barrikaduar në njërën anë dhe nuk ka lëvizje përpara por qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket këtij procesi”.

Megjithëkëtë, sipas profesor Hotit, ajo se çfarë duhet të bëjnë deputetët, patën apo jo shtetësi të dyfishtë, është plotësimi i kushteve të kërkuara nga Bashkimi Evropian, pasi që liberalizimi, sipas tij, tani është tërësisht në duart tona. “Më vjen keq që nuk kemi pasur deri më tani liberalizimin, mirëpo tani kjo çështje nuk lidhet me aspektet kohore mirëpo me plotësimin e kritereve. Çështja është në duart tona. Nëse ka plotësim të kritereve do të ecim përpara, nëse jo do të vazhdohet kështu. Fundja shtetet anëtare të BE-së kanë liberalizim dhe mund të lëvizin lirshëm”, ka thënë Hoti. I pyetur nëse edhe nëse votohet Demarkacioni në muajin prill, a pritet të ketë liberalizim të vizave, Hoti ka thënë. “Jo domosdoshmërisht brenda vitit. Ka edhe kritere të tjera të cilat pritet të vlerësohen nga komisioni evropian”.

Ndërkohë, edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të BE-së, Dashnim Ismajli, ka thënë se puna e deputetëve kosovarë lë për të dëshiruar sa i përket integrimit evropian. Sipas tij, edhe pse se është në dorën e deputetëve kosovarë, për ta quar përpara procesin e liberalizimit të vizave, ata janë duke humbur shumë kohë. E kjo gjë ai thotë se nuk i ka kontribuar Kosovës veçanërisht në sferën ndërkombëtare. “Të gjitha raportet dhe studimet që bëhen aktualisht nga hulumtimet dhe matjet ndërkombëtare për Kosovën dhe progresin e saj temë tabu dhe sfidë kanë Demarkacionin, veteranët dhe Asociacionin e Komunave Serbe”, ka thënë Ismajli.