PDK-ja zyrtarizon Veselin kandidat për kryeministër

Aktuale March 27, 2017 - 08:27

Kadri Veseli edhe zyrtarisht është kandidati i PDK-së për kryeministër. Derisa ai ka shprehur vizionin e tij për të ardhmen e vendit, analistët kosovarë shprehen në mëdyshje për sukseset e tij dhe opozita kosovare e dëshiron Veselin para drejtësisë

Partia Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht ka konfirmuar liderin e saj Kadri Veselin si kandidat për kryeministër të vendit. Në konventën festive të kësaj partie, Veseli tha se Kosova ka pasur një progres të jashtëzakonshëm por, sipas tij, shteti i ri mund të bëjë shumë më shumë.

Ai u zotua që Kosova do ta themelojë ushtrinë e saj dhe se nga një vend supermarketesh do të shndërrohet në një vend fabrikash.

Megjithatë, analistët kosovarë kanë mëdyshje rreth sukseseve të mundshme të Veselit si një “kryeministër i ardhshëm” dhe në opozitë nuk kanë fjalë të mira për liderin e PDK-së. Sipas tyre, është pikërisht PDK-ja përgjegjëse për shumë dëme që i janë shkaktuar vendit. Ndërsa për vetë liderin e saj thonë se do ta presë edhe përgjegjësia penale kur në Kosovë të vihet një sistem i drejtë gjyqësor. 

Veseli: Për Kosovën njerëzit e PDK-së kanë meritat më të mëdha

Partia Demokratike e Kosovës të shtunën dhe të dielën ka zhvilluar punimet e konventës së 8-të të punës. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka theksuar me këtë rast se politika e PDK-së do të jetë në shërbim të qytetarëve të vendit, duke garantuar thellimin e fuqizimit të partneritetit me SHBA-në dhe me Bashkimin Evropian. “Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka identitetin e tij të fuqishëm politik dhe ne, Partia Demokratike e Kosovës, garantojmë pacenueshmërinë e tij. Janë njerëzit e Partisë Demokratike të Kosovës ata që kanë meritat më të mëdha për partneritetin e vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe me gjithë botën demokratike. Me vizionin tonë, me besimin e marrë nga qytetarët e Kosovës, ne garantojmë thellimin dhe fuqizimin e këtij partneriteti”, ka theksuar Kadri Veseli. Ai ka theksuar se pavarësisht dilemave, ushtria e Kosovës do të bëhet dhe se do të tejkalohet çdo sfidë e barrierë për integrim të vendit në NATO e në BE, ashtu sikurse janë tejkaluar sfidat për çlirimin e vendit. “Ne do ta bëjmë ushtrinë e Kosovës.

Do ta bëjmë një ushtri moderne e profesionale, rojtare e sigurisë së atdheut tonë, kontribuuese të paqes dhe stabilitetit në rajon, anëtare e dinjitetshme e NATO-s, krenari e brezave që ëndërruan gjatë lirinë e Kosovës, krenari e brezave që do ta trashëgojnë shtetin e pavarur dhe sovran - Republikën e Kosovës”, ka thënë Veseli. Më tutje Veseli theksoi se në ditët e ardhshme PDK-ja do ta marrë përgjegjësinë që politikën t’ia kthejë qytetarit duke u shprehur se ky është parimi fundamental i veprimit tonë politik dhe institucional. Ai ka përmendur ndërtimin e infrastrukturës moderne, autostradat, aeroport modern, ndërtimin e qindra shkollave, çerdheve, spitaleve, ngritjen e pagave të mësimdhënësve, mjekëve e gjithë punonjësve publikë. “Nga nevoja për punësim e deri te industrializimi i vendit me fabrika unë synoj zhvillim më të shpejtë për vendin tonë. Korrupsioni është i patolerueshëm në vendin tonë! Unë i kam kuptuar mirë shqetësimet e qytetarëve dhe kam vendosur të mos pres! Kam vendosur të veproj, bashkë me ju dhe të gjithë ata që duan një Kosovë që rrezaton mirëqenie dhe zhvillim, siguri dhe shpresë për të ardhmen”, ka shtuar ai. Veseli ka përfunduar duke thënë se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë që mbi identitetin e shtetit të Kosovës të vendosen dilema ekzistenciale. “Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës nuk është i përkohshëm sikurse pretendojnë disa, brenda dhe jashtë.

Shteti i Kosovës është vepra më madhështore e popullit tonë, që do të jetojë përgjithmonë në hartën gjeopolitike të botës”, ka përfunduar ai.(Lexo shkrimin e plote ne numrin e sotem te gazetes Zeri)