Aleanca NATO-UÇK, fatale për Serbinë

Aktuale March 25, 2017 - 08:10

Ish-eprorët e lartë të UÇK-së kujtojnë 24 marsin e vitit 1999, kur aeroplanët e NATO-s filluan sulmet ajrore ndaj caqeve të ish-ushtrisë jugosllave. Sipas tyre, Aleanca NATO-UÇK ishte fatale për Serbinë

Tetëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër caqeve të ushtrisë ish-jugosllave, duke e shënuar kështu fillimin e fundit të regjimit serb mbi Kosovën.

Fushata ajrore pasoi refuzimin e Beogradit për ta nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambuje të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

E lajmin e shpresës për Kosovën 18 vjet më parë e kishte dhënë ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton. Ai ndër të tjera në një konferencë të jashtëzakonshme për medie kishte thënë se kriza në Kosovë ka arritur kulminacionin, “nëse nuk veprojmë do të përkeqësohet”. Menjëherë pas asaj deklarate, NATO-ja dhe aleatët filluan bombardimin mbi caqet serbe.

Fushata e bombardimeve të NATO-s zgjati 78 ditë, kur edhe forcat serbe ngritën “flamurin e bardhë”. Gjatë luftës së fundit në Kosovë mbi 10 mijë qytetarë janë vrarë nga forcat serbe, rreth 1 milion veta u depërtuan nga vendi, ndërsa 5000 shqiptarë llogariteshin si të zhdukur.

Krahas sulmeve të NATO-s nga ajri, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) fitonte terren në tokë.

Ish-eprorët e UÇK-së kujtojnë momentin kur nisën sulmet e NATO-s, të cilat vinin pas një lufte njëvjeçare të tyre me forcat serbe.

Ish -zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, këtë ditë e quan ndër ngjarjet më të rëndësishme. Ai ka thënë për gazetën “Zëri”, se fillimi i bombardimeve kishte sjellë besim të madh në fitore ndaj forcave ushtarake e policore serbe.

“Ky sulm pa dyshim që ishte ngjarja më e rëndësishme e cila po vinte pas një lufte një vjeçare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kjo e fundit po zhvillonte kundër makinerisë vrastare të Serbisë. Nuk ka asnjë dyshim, fillimi i bombardimeve ka sjellë besim të madh në fitore, por, për një kohë për popullin tonë pati shkaktuar edhe dhimbje të mëdha, plagët e se cilës janë të mëdha edhe sot”, theksoi Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka thënë se bombardimet e NATO-s pa asnjë dyshim që e kanë përshpejtuar fitoren e UÇK-së. Sipas tij, bota demokratike nuk do ta lejonte pakufi atë krizë njerëzore.

“Bombardimet e NATO-s pa asnjë dyshim që e kanë përshpejtuar fitoren tonë e cila është edhe fitore e botës se vlerave demokratike. Se çka do të ndodhte pa atë ndërhyrje, nuk është lehtë për t'u përgjigjur, por besimin në fitore të popullit tim nuk e kam humbur kurrë! Një gjë dihet, bota demokratike nuk do ta lejonte pakufi atë krizë njerëzore! Këto ngjarje, mund të thuhet, se po e mbyllnin luftën e ftoftë Lindje- Perëndim”, tha Krasniqi.

 Selimi: 24 marsi, ngjarja më e rëndësishme e luftës

Ish-eprori i UÇK-së, Rexhep Selimi, ka thënë për “Zërin” se prej ngjarjeve më të rëndësishme të luftës së UÇK-së, e sidomos për nga lloji, ngjarja më e rëndësishme është 24 marsi i vitit 1999.

“Normalisht që për çdo qytetar të Kosovës është një natë dhe një moment i paharrueshëm, gjithsesi i përcjellë edhe me angazhime, sepse kjo natë nuk na zuri pranë televizorit, por pranë vijave të frontit dhe të betejave”, ka thënë Selimi për “Zërin”.

Selimi në natën e bombardimeve të NATO-s ka qenë në zonën operative të Drenicës në detyrë, i përfshirë në luftimet ushtarake aty.

“Nuk e kam thjesht për retorikë, por nëse nuk do të kisha besuar, pra nëse ne luftëtarët nuk do të kishim besuar në fitore, atëherë këtë luftë nuk do ta ndërmerrnim. Unë kam besuar fuqishëm që vetëm me luftë çlirohet Kosova, prandaj e kemi bërë luftën”, ka theksuar Selimi.

Selimi ka thënë se atë ditë u jetësua aleanca NATO-UÇK, e cila e detyroi Serbinë të kapitullojë. Sipas Selimit, misioni i NATO-s për Kosovën edhe sot mbetet një mision unik.

“Për afër dy muaj e gjysmë sa zgjati fushata e bombardimeve të NATO-s u realizua një mision ushtarak të cilin NATO-ja nuk e kishte realizuar gjatë 50 vjetëve te ekzistencës së saj. Misioni i NATO-s për Kosovën edhe sot mbetet një mision unik. Për situatën e sotme në Kosovë 24 Marsi i NATO-s ka një kuptim të veçantë sidomos tash kur po flitet që Kosova ta ketë ushtrinë e saj dhe ta avancojë partneritetin me NATO-n”, tha Selimi.

Isufi: Bombardimet dhanë shenjë se po vjen liria

Ahmet Isufi, ish-komandant i Zonës Operative të Karadakut, ka treguar se në momentin kur ka ndodhur bombardimi i parë në Prishtinë ishte në mal dhe për të këto ishin shenjat e para që po vinte liria.

“Ishte një përpjekje e gjatë e Kosovës për ta fituar lirinë dhe pozicioni serb i cili e kishte programin për shfarosje ndikoi që të mobilizohej faktori ndërkombëtar dhe të hynte ushtarakisht. Unë kam komanduar zonën operative të Karadakut dhe normal që kur është bërë veprimi i NATO-s nga ajri, atëherë një simbolikë që ka bërë që forcat e UÇK-së të aktivizohen edhe më shumë dhe t’i godasin caqet serbe. Prandaj ka qenë një kthim i madh sepse është parë që liria po vjen më shpejt”, ka thënë Isufi.

Isufi ka thënë se bombardimet e NATO-s para 18 vjetësh ishin sinjal i zhvillimit të Kosovës.

“Duke llogaritur edhe në ushtrinë tokësore, në ushtrinë çlirimtare të Kosovës, e cila në bashkëveprim arriti që ta çlirojë Kosovën dhe të bëhet një veprim i cili me shekuj është pritur nga populli i Kosovës”, tha Isufi. 

Ndryshe, pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, Sllobodan Millosheviq në atë kohë president i Serbisë u dorëzua dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës për paqe.

Misioni paqeruajtës i NATO-s dhe KFOR-it është ende i pranishëm në Kosovë dhe vazhdon të shërbejë si forcë mbrojtëse.