NATO-ja ruajti stabilitetin në Ballkan

Aktuale March 25, 2017 - 08:00

KFOR-i zbarkoi me 50 mijë trupa, përderisa 18 vjet më pas numri i pjesëtarëve të kësaj force në vend ka rënë në 4500. Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se NATO-ja nuk ka ndihmuar vetëm Kosovën, por gjithë rajonin, pasi që ka ruajtur stabilitetin në Ballkan

24 marsi i vitit 1999 është data kur Forcat Paqeruajtëse të NATO-s kishin nisur bombardimet mbi caqet serbe në Kosovë. Kampanja ajrore e nisur nga aleatët ndërkombëtarë zgjati gjithsej 78 ditë, me qëllimin e vetëm, për ta ndalur tragjedinë që Serbia po shkaktonte në Kosovë. Ndërkohë, si rrjedhojë e kësaj KFOR-i më 12 qershor të vitit 1999 zbarkoi në Kosovë. Me këtë rast, sipas të dhënave që NATO-ja ia ka siguruar gazetës “Zëri”, KFOR-i fillimisht kishte hyrë në Kosovë me 50 mijë trupa.

Në ndërkohë, numri i pjesëtarëve është zvogëluar me kalimin e viteve, me ç’rast aktualisht në Kosovë janë gjithsej 4500 trupa nga 31 shtete të ndryshme të botës.

Nga ana tjetër, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së e cilësojnë 24 marsin si datë historike me ç’rast, sipas tyre, kjo fushatë e bombardimeve bashkë me luftën çlirimtare sollën lirinë e Kosovës. Ndërkaq, ekspertët ushtarakë konsiderojnë se vendosja e NATO-s në Kosovë ruajti stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonit.

KFOR-i ka rreth 4500 trupa në Kosovë

Sipas të dhënave që NATO-ja ia ka siguruar gazetës “Zëri”, KFOR-i kishte hyrë në Kosovë fillimisht me 50 mijë pjesëtarë.

“KFOR-i fillimisht kishte hyrë në Kosovë me 50 mijë trupa, burra dhe gra nga shtetet anëtare të NATO-s, partnerët e saj dhe shtetet joanëtare të NATO-s në një komandë të unifikuar”, thuhet në këto të dhëna.

Sipas tyre, me kalimin e viteve KFOR-i e kishte zvogëluar edhe numrin e pjesëtarëve, duke kapur kështu shifrën 39 mijë.

“Në pjesën e parë të vitit 2002 KFOR-i kishte zvogëluar praninë e saj në 39 mijë trupa. Përmirësimi i situatës së sigurisë i kishte lejuar NATO-s që ta zvogëlojë edhe më tej praninë e saj në 26 mijë trupa në qershor të vitit 2003. Ndërsa në fund të vitit 2003, prania ishte vetëm 17.500 trupa”, shtohet tutje.

Ndërkohë sot, sipas këtyre të dhënave, KFOR-i ka gjithsej 4500 trupa në Kosovë.

“Sot, KFOR-i ka rreth 4500 trupa nga 31 shtete të ndryshme. KFOR-i vazhdon ta ndihmojë, ta ruajë dhe ta sigurojë mjedisin dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, sipas mandatit të tij”, potencohet me tej. 

Thaçi dhe Mustafa: 24 marsi, datë historike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se më 24 mars të vitit 1999, e gjithë bota ishte bashkuar për ta ndalur gjenocidin serb në Kosovë.

“Me këtë intervenim po mbyllej kapitulli i fundit i terrorit shekullor të shtetit serb në Kosovë dhe po hapej rruga e çlirimit të Kosovës. Në këtë datë ndryshuan edhe librat e historisë evropiane. Për herë të parë bota u bashkua për ta ndalur gjenocidin”, ka deklaruar ai.

Ai më tej, ka thënë se në këtë 18-vjetor, Kosova synon që në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqtë e tjerë perëndimorë të bëhemi anëtarë të NATO-s, që nesër edhe ne të kontribuojmë anekënd botës për ruajtjen e paqes.

Kurse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, ka thënë se pikërisht këto sulme, bashkë me luftën çlirimtare, ndihmuan Kosovën që sot ta gëzojë lirinë.

“Sulmet e NATO-s nga ajri, të nisura 18 vjet më parë dhe lufta heroike çlirimtare në tërë territorin e Kosovës sollën lirinë që ne e gëzojmë sot”, ka deklaruar Mustafa.

I pari i ekzekutivit, 24 marsin e ka cilësuar si ditë historike për Kosovën.

“Nisja e kampanjës ajrore të Aleancës Veriatlantike më 24 mars 1999 është ditë historike për Kosovën, për NATO-n por edhe për konceptin modern të lirisë dhe domosdoshmërisë së mbrojtjes së saj nga regjimet kriminale”, ka shtuar ai.

Ai më tej ka thënë se Kosova u është mirënjohës SHBA-së e NATO-s.

Me këtë rast, ai ka thënë se duhet në vazhdimësi që Kosova të jetë e koordinuar me partnerët strategjikë.

“Partneriteti strategjik dhe koordinimi në çdo hap i joni me SHBA-në dhe miqtë euroatlantikë, ashtu si 18 vjet më parë, janë formula e suksesit tonë të përbashkët në të ardhmen”, ka potencuar ai.

Isufi: Pa NATO-n lufta do të zgjaste më shumë

Ahmet Isufi, ish-komandant në Zonën Operative të Karadakut, tashmë nënkryetar i AAK-së, ka vlerësuar se po që se NATO-ja nuk do të ndërhynte më 24 mars, lufta do të zgjaste shumë më gjatë.

“Lufta do të zgjaste më shumë, por duke u solidarizuar bashkësia ndërkombëtare, në këtë rast roli i SHBA-së  dhe i vendeve perëndimore që kishin ndikim në NATO, arritën që ta shkurtojnë kohën e vuajtjeve të vendit tonë dhe u arrit liria”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Isufi më tej ka folur edhe për ushtrinë dhe moskoordinimin e Kosovës me NATO-n, me ç’rast ka konsideruar se NATO-ja nuk është lënë anash me një veprim të tillë.

“Jo, dallimi është sesi duhet të bëhet ushtria, mënyra e marrjes së misionit së ushtrisë që po e kërkojnë të bëhet në bashkëpunim me NATO-n e SHBA-në dhe kjo është çështje e komunikimit. Pra, ushtria është dashur edhe më herët të bëhet, por edhe tani, sepse nuk ka shtet pa ushtri dhe këtë e kupton edhe NATO-ja, edhe aleatët ndërkombëtarë”, është shprehur Isufi.  

Kurse, Zafir Berissha, deputet i “Nismës për Kosovën”, njëherësh ish-pjesëtar i UÇK-së, ka thënë se 24 marsin para 18 viteve e kishte pritur me shumë emocion.

“24 marsi 1999 ka qenë fillimi i fundit të regjimit të Millosheviqit në Kosovë, dhe si luftëtar i UÇK-së natyrisht se e kemi pritur me emocion të papërshkruar, pasi atë natë unë me disa bashkëluftëtarë isha në lagjen Tusuz në kulmin e luftës për liri a vdekje dhe bombat e para mbi caqet serbe ishin ndihmë e madhe në përpjekjen tonë për liri”, ka deklaruar ai.

Sipas Berishës, po të mos ishte NATO-ja, lufta për çlirim do të ishte shumë më e vështirë. Ai më tej ka konsideruar se Kosova duhet ta pyesë NATO-n për krijimin e ushtrisë, porse megjithëkëtë, sipas tij, Kosova nuk i ka harruar të mirat e NATO-s.

Hoti: 24 marsi, momenti që i dha të drejtë UÇK-së

Shkodran Hoti nga zyra për informim e Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë se 24 marsi përbën ditën kur ndërkombëtarëve iu bë e ditur se Serbia nuk pushon me dialog.

“Konsideroj që 24 marsi apo data që shënon fillimin e sulmit të NATO-s ndaj caqeve serbe është momenti kur për bashkësinë ndërkombëtare u bë përfundimisht e qartë se gjenocidi i Serbisë ndaj Kosovës nuk ndalet me dialog”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, me një veprim të tillë bashkësia ndërkombëtare i dha të drejtë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pra, ishte moment që i dha të drejtë rezistencës së armatosur të filluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila në këtë datë mori mbështetjen nga intervenimi humanitar i NATO-s, që pa dyshim është moment i rëndësishëm dhe para se gjithash veprim i drejtë”, ka potencuar Hoti.

Megjithëkëtë, Hoti ka konsideruar se Kosova ende nuk e ka lirinë e plotë pasi që, sipas tij, ka vazhdimisht cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial.

 

Ekspertët e sigurisë: NATO-ja stabilizoi gjithë rajonin, jo vetëm Kosovën

Nga ana tjetër Naim Maloku, ish-oficer i lartë i UÇK-së, tashmë ekspert i çështjeve ushtarake, ka vlerësuar se ndërhyrja e NATO-s e ka ndihmuar Kosovën që ta përfundonte luftën çlirimtare.

“Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ka ndihmuar popullin shqiptar dhe Kosovën për ta përfunduar luftën më shpejt dhe faktikisht për të shpëtuar popullata civile dhe populli ynë. Shpëtimtarë, në njëfarë forme na kanë shpëtuar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, NATO-ja nuk ka ndihmuar vetëm Kosovën, por gjithë rajonin, pasi që ka ruajtur stabilitetin në Ballkan.

“Distribuimi i forcave të NATO-s në Kosovë ka ndihmuar shumë në rajon, është mbajtur stabiliteti në Maqedoni, janë bërë zhvillime pozitive në Serbi, Mal të Zi. NATO-ja nuk ka pasur ndikim vetëm për stabilitetin e Kosovës, por për krejt rajonin”, ka potencuar ai.  

Kurse, ka konsideruar se ushtria e Kosovës nuk mund të ndërtohet pa pëlqimin e NATO-s dhe faktorit ndërkombëtar.

Ndërkohë, Drizan Shala, ekspert i sigurisë nga “East Bridge Academy” ka thënë se NATO-ja kishte hyrë në Kosovë për ta parandaluar një tragjedi të mundshme sikur ajo e  Srebrenicës.

“Duke parë në retrospektivë zhvillimet që kanë ndodhur para më shumë se një dekade në Ballkan dhe luftërat çnjerëzore që ishin zhvilluar, si pikë kyçe mund të potencojmë që NATO-ja si mision i Kombeve të Bashkuara nën Rezolutën 1244 hyri në Kosovë për ta parandaluar një Srebrenicë të dytë, që ishte planifikuar të ndodhte në komunën e Podujevës më 1999”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, duke folur për ushtrinë, ai ka thënë se ushtria është çelësi për të hyrë në NATO mirëpo, sipas tij, NATO-ja ka status neutral ndaj zhvillimeve në raport me procedimin e ligjit për ushtri, sepse ashtu si ai ka potencuar, misioni kyç i tij është ruajtja e stabilitetit të brendshëm ndëretnik.

Sulmi i 24 marsit, veprimi kryesor ndërkombëtar për kapitullimin e Serbisë

Politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se sulmi i NATO-s, pos luftës çlirimtare, ishte veprimi kyç për kapitullimin e Serbisë.

“Sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake të Serbisë ishte veprimi kryesor ndërkombëtar e efektiv krahas luftës së lavdishme të UÇK-së për kapitullimin e Serbisë në Kosovë dhe për lirinë e popullit të Kosovës e më vonë për shpalljen e pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas Tahirit, të gjithë qytetarët e Kosovës përjetësisht janë falënderues për këtë veprim në mbrojtje të lirisë e dinjitetit dhe të drejtës themelore qytetare për të qenë i lirë.

Ndërkaq, njohësi i politikave ndërkombëtare, Haki Abazi, ka vlerësuar se bota e kishte kuptuar luftën e padrejtë të serbëve, për atë edhe kishte ndërhyrë.

“Bota kishte kuptuar se çfarë ishte në gjendje të bënte regjimi i Millosheviqit, duke parë se çfarë ndodhi në Kroaci dhe në Bosnjë Hercegovinë. Zhvendosja e konfliktit për Kroaci dhe Bosnjë, konflikt ky që kishte filluar në Kosovë me suprimimin e autonomisë dhe largimit masiv të punëtorëve dhe nxënësve nga puna, respektivisht nga shkollat ka qenë strategjia më e mirë që ka mundur të përgatitet duke qenë se forca intervenuese e ushtrisë jugosllave kundrejt asaj mbrojtëse të popullatës së paarmatosur ka qenë shumë e madhe”, ka deklaruar ai.

Sipas Abazit, pa intervenimin e NATO-s në Kosovë, shqiptarët e Kosovës do ta kishin statusin e njëjtë sikurse edhe palestinezët sot.

Ai më tej ka konsideruar se intervenimi i NATO-s mbi caqet serbe përbën një shembull për suksesin e kësaj aleance.

“Intervenimi i NATO-s në Kosovë është njëri ndër shembujt më të suksesshëm të intervenimit ushtarak të aleancës. Dhe kjo i ka ndihmuar Kosovës dhe qytetarëve të saj që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të fillojë rindërtimi”, ka shtuar ai.

 

Image

Image