Brukseli vendos sanksionet e para ndaj Shkupit, mund të pasojnë të tjera

Aktuale March 24, 2017 - 23:58

Euro-deputetët Vajgël, Kukan dhe Flekenshtajn do të propozojnë që Parlamenti Evropian gjatë muajit prill të mos e votojë rezolutën për Maqedoninë, por të hapë debat lidhur me krizën politike në vend, si një formë e sanksioneve ndaj Maqedonisë për shkak të mosgatishmërisë për zgjidhjen e stërzgjatur politike, transmeton Gazeta Express.

Sipas Vajgël, kjo paraqet një nga masat ndëshkuese për Maqedoninë dhe nuk përjashton mundësinë e sanksioneve të tjera.

“Do të propozojmë që të mos votohet, por të hapet debat. Me gjasë do të votohet një muaj më vonë. Kjo mund të kuptohet edhe si vërejtje ose si sanksion. Megjithatë është e qartë se BE-ja për Maqedoninë si vend kandidat ka edhe instrumente të tjera duke filluar nga financat deri te të tjera sepse nëse kriza vazhdon, ajo mund të sjellë pasoja serioze si destabilizim të vendit dhe rajonit”,tha Ivo Vajgëll, euro-deputet.

Ndërkaq, lidhur me refuzimin e fundit të kryetarit Gjorgje Ivanov për të takuar komisionarin Han dhe euro-deputetët, Vajgël e ka konsideruar si një veprim të papërgjegjshëm dhe nxitje të protestuesve.