Haradinaj: Procesi ndaj meje është një lojë politike

Aktuale March 23, 2017 - 22:04

Haradinaj në intervistën e dhënë për RTK tha se nuk e di çka është frika. 

"Jam shqiptar dhe nuk e dij çka është drithërimi". Kështu është përgjigjur Ramush Haradinaj, i pyetur se si po e pret 6 prillin, kur ai do të ballafaqohet me gjykatën. 
"Unë nuk e dij çka është drithërimi", ka thënë ai. Haradinaj tha se këtë datë nuk do të jepet verdikti rreth çështjes së ngritur rreth tij.
Ai ka thënë se tashmë veç Kosova është në prag të zgjedhjeve. 


Haradinaj e ka quajtur fat i keq "Qeverisjen Mustafa", duke thënë se është një gjendje e rëndë në vend. "Kosova është shpenzuar shumë dhe më vjen keq që është nëj gjendje e tillë", ka thënë ai. 
Po ashtu, ai tha se në Kosovë ka pasur gjithnjë gatishmëri që t'iu jepen serbëve të drejta. "Mirëpo është ekzagjëru me idenë e një 'Republika Srpska' që nuk mund të zbatohet në Kosovë", ka thënë ai. 

 Ai në intervistën e dhënë për RTK ka thënë se ajo që po ndodhë me të është e padrejt. "Unë jam shtetas i Kosovës dhe Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën ndërsa sa i përket luftës gjithçka është shqyrtuar rreth meje në Tribunalin e Hagës", tha Haradinaj. 

Ai tha se në raport me Kosovën ka ende çështje të pa përmbyllura. "Këto ndjekje që iu bëhen qytetarëve shqiptarë, duhet t'i shohim si përpjekje të Serbisë për të penguar rrugëtimin e shqiptarëve në Ballkan", tha Haradinaj. 
Por, ai tha se atë qëndrueshmëri që kanë pasur ndaj ish regjimit të diktatorit Slobodan Milosheviq, shqiptarët do ta kenë në vazhdimësi. 


"Nuk do të ndodhë që ata t'i fusin më duart në Kosovë", ka thënë Haradinaj. 
Ai tha se kjo që po e bën Serbia me të do të jetë e disfavorshme për vet Serbinë e cila po hapë tema të reja, e të cilat domosdo që do t'i humbë. 
Haradinaj ka folur edhe për Epopenë e Dukagjinit, e cila do të filloj të shënohet nesër pa prezencën e tij në Gllogjan. 


"Rezistenca e familjes Jashari zgjoi shqiptarët kudo që ishin. Beteja e radhës u zhvillu në Gllogjan. Epilogu i kësaj beteje ishte i duhuri sepse  ikën me turp serbët dhe u çua porosia se është e mundur me fitu luftën, nëse jemi të bashkuar", ka thënë Haradinaj. 

Ai tha se edhepse në atë betejë ranë dëshmorë tre djem të Kosovës, porosia ishte e fitores. 
Kryetari i AAK-së që po qëndron i ndaluar nga 4 janari në Francë.