A do të fillojnë gërmimet në Rashkë e Novi Pazar, pas dëshmisë së ish-ushtarit serb?

Aktuale March 23, 2017 - 17:35

Një ish-ushtar serb ka treguar se në bazë të informacioneve që ai posedon, ekziston një varrezë masive me trupa të shqiptarëve në Novi Pazar dhe Rashkë të Serbisë.

Kjo deklaratë ka bërë që familjet e personave të zhdukur të shpresojnë për më të dashurit e tyre.

Ndërkaq Komisioni Shtetëror për personat e zhdukur ka deklaruar se kjo çështje duhet të hulumtohet dhe të merren masat e mëtutjeshëm.

Prenk Gjetaj, kryetar i këtij komisioni, në një prononcim për Gazetën Monitor ka theksuar se informata se ka varreza masive të shqiptarëve në Serbi, duhet të përpunohet dhe të shqyrtohet në tërësi pastaj të merren veprimet e tjera.

“ Konkretisht ne së pari duhet të bëjmë hetimet kështu duke hulumtuar edhe informatën. Duhet të punojnë ekipet hulumtuese dhe në bazë të rezultateve atëherë do të planifikohen edhe veprimet e tjera të radhës. Ajo deklaratë besoj që është marrë nga organet kompetente dhe është në fazën e hetimeve dhe nuk mund të dalim në opinion pa u verifikuar kjo çështje”, ka thënë Gjetaj.

Ndryshe një ish-ushtar serb, identiteti i të cilit është anonim, në një intervistë për emisionin ‘Parrotlla’ ka rrëfyer se në luftën e vitit 1998-1999 është detyruar me forcë nga eprorët e tij që të vrasë shqiptarë, por thotë se nuk ka mundur. Madje ai ishte përbetuar se një varrezë e tillë masive ekziston. /Gazeta Monitor